Studentët e UAMD-së fitues në Simulimin e Institucioneve të BE-së


Në simulimin e institucioneve të Bashkimit Europian, organizuar nga European Movement Albania, këtë vit kishte shumë UAMD. Studentja e Drejtësisë Suada Dida ishte presidente e Parlamentit Europian, ndërsa alumni Ervin Ymeraj mbajti pozicionin e Kryetarit të Këshillit të Ministrave.

Në debatin mbi direktivën790/2019 mbi “Mbrojtjen e të Drejtave të Autorit në tregun Digjital”, çmimi i delegatit më të mirë në Parlament iu dha studentit të FSHPJ-së Marenglen Kurtaj, ndërsa kolegu i tij i kursit Ismail Thaçi u vlerësua si “Honorable Member”.

Simulimi i zhvilluar më 10 qershor 2019, pranë Europe House, mblodhi 40 studentë dhe studente të veshur në rolin e Komisionerëve, Eurodeputetëve dhe ministrave europianë. Ata diskutuan, kundërshtuan, bashkëpunuan dhe në fund votuan për Direktivën e propozuar nga Komisioni Europian.

Pas diskutimesh të shumta në parlament ku pati dhe përjashtime të përkohshme nga salla të disa eurodeputetëve, mocion mosbesimi ndaj Presidencës së Parlamentit Europian, por dhe mesazhe të forta për dhe mbi BE, Direktiva në fund pas amendimesh dhe debatesh u miratua.

Gjatë diskutimeve mes ministrave të shteteve të Këshillit të Bashkimit Europian diskutimi ishte më i qetë dhe Direktiva u votua nga të gjitha shtetet, me pëjashtim dy prej tyre.

Në fund të Simulimit u realizua ceremonia e shpërndarjes së certifikatave për të gjithë pjesëmarrësit në Modelin Simulues.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të Projektit “Europe Day 2019”, mbështetur nga European Movement International dhe “Europe for Citizens” Programme.