Studentët e UAMD-së zhvillojnë ekspeditë studimore nëpër Shqipëri


Në kuadër të ekspeditave studimore, studentët e vitit të dytë, kursi Histori të Universitetit “Aleksandër Moisiu” zhvilluan një sërë vizitash në qytetet kryesore të Shqipërisë si Berat, Gjirokastër, Vlorë, Elbasan. Ekspeditat u zhvilluan nën kujdesin shkencor të pedagogëve Prof. As. Dr. Mois Kamberi dhe Dr. Lorenc Agalliu.

Qëllimi i vizitave ishte njohja e studentëve me vlerat historike, kulturore dhe arkitektonike të qendrave kryesore shqiptare, si dhe njohja me ngjarjet kryesore që kanë lënë gjurmë në zhvillimin historik të popullit shqiptar.

Ekspedita mësimore nisi nga qyteti muze i Beratit, ku me interes u vizituan Kalaja e qytetit, Muzeu Etnografik dhe Muzeu Kombëtar i Onufrit, së bashku me ikonat dhe veprat e rralla që ai mbart.

Në qytetin e Elbasanit studentët patën mundësinë të vizitojnë Kalanë, Muzeun e Shkollës Normale dhe Muzeun Etnografik. Ata u njohën me zhvillimet kryesore historike dhe kulturore të qytetit të Elbasanit dhe trevave përreth. Me mjaft interes u ndoqën prezantimet mbi jetën qytetëse elbasanase, arsimin, zejtarinë dhe veprimtarinë artistike e kulturore të kësaj treve.

Në ditën e tretë të ekspeditave, vizita u përqëndrua në qytetin e Vlorës. Gjatë rrugës, studentët patën mundësi të vizitonin Manastirin e Ardenicës, i cili përfaqëson një folklor arkitekturor të veçantë në llojin e vet, me piktura e famshme të Zografit dhe Konstandin Shpatarakut që datojnë nga mesi i shek. XVIII.

Në Vlorë u vizitua Monumenti dhe Muzeu i Pavarësisë dhe më pas rrugëtimi vijoi drejt Gjirokastrës. Një ndalesë u bë në qytetin e Tepelenës si një ndër qendrat kryesore të Pashallëkut të Janinës, të drejtuar nga Ali Pashë Tepelena. Vizita në Gjirokastër u përqëndrua në Kalanë e qytetit, e cila përmendet për herë të parë në dokumentat e kohës si qytet-kështjellë që në shek. XIV. Studentët patën mundësi të shihnin nga afër Muzeun e Armëve, si dhe Kullën e Sahatit së bashku me sheshin ku që prej 1968 zhvillohet Festivali Folklorik Kombëtar.

Për nga vlerat arkitektonike, qyteti i Gjirokastrës dhe ai i Beratit paraqesin vlera të rralla, fakt që e dëshmon edhe vlerësimi i bërë nga UNESCO, që i ka përfshirë në listën e listën e trashëgimisë botërore.