“Po ku ka si ti, o Shqipëria ime…”


Në kuadër të zhvillimit të ekspeditave studimore studentët e vitit të tretë në profilet Menaxhim Turizmi Kulturor, Menaxhim Turizëm Arkeologjik, Menaxhim Hoteleri Turizmi dhe ata të Masterit Profesional “ Drejtim i Ndërmarrjeve Turistike” të Fakultetit të Biznesit zhvilluan  vizita në disa rajone si Belsh, Krujë, Lezhë, Zadrimë dhe Shkodër.

Qëllimi i vizitave ishte njohja  e studentëve jo vetëm me vlerat kulturore, arkeologjike, natyrore etj, por dhe lidhja e tyre me bizneset turistike që kanë sjellë kreativitet dhe inovacion në turizëm.

Itinerari u organizua  dhe u drejtua nga lektorët  e Departamentit të Turizmit  në bashkëpunim me Drejtoritë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, Lezhë e Shkodër, Bashkinë Shkodër, Dhomën Kombëtare të Zejeve dhe biznese të ndryshme në fushën e turizmit.

Ekspedita nisi nga qyteti i vogël i Belshit, ku peizazhi i mrekullueshëm natyror i ka hapur udhë krijimit të bizneseve turistike.

Dita e dytë filloi me vizitën në sitin arkeologjik të Zgërdheshit, i cili mendohet se ka qenë Albanopoli dhe vijoi me vizitën në Muzeun Historik Kombëtar në qytetin e Krujës. Studentët  patën mundësinë të njihen me risitë në këtë muze realizuar dhe në kuadër të 500 vjetorit të lindjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu  dhe  punën për transformimin e Pazarit të Krujës.

Dita e tretë vijoi me vizitën në Memorialin e Gjergj Kastriot-Skënderbeut Lezhë dhe Kalanë e  Lezhës, ku anëtarë të Departamentit të Turizmit të Bashkisë së Lezhës sollën pranë studentëve dhe jehonën e festivalit “ UNUM”, të sapo mbyllur me sukses në ambientet e Rënës së Hedhun, Shëngjin.

Dita vazhdoi me vizitën në Shkollën e Mesme Jopublike” Rogacionistët” shembull i një shkolle ku ambientet janë transformuar në një galeri të vërtetë arti me objekte  antike nga gjithë territorin shqiptar nën përkujdesjen e Don Antonio Leuci, por që drejtohet me seriozitet dhe përkushtim nga një ish-student i UAMD-së Xhovan Bregu.

Vetëm 5 hapa më tutje studentët shijuan koloritin e ngjyrave të punimeve artizanale të Artistike “Zadrima”,  ku Presidentja e Dhomës së Zejeve Shqiptare , Znj. Tereze Gega, i njohu studentët me rëndësinë e një qendre artizanati, ruajtjen e traditës në punime dhe rëndësinë e start-up në fushën e turizmit.

Dita e fundit e ekspeditës iu përkushtua Shkodrës dhe muzeve të shumtë të saj. Muzeu etnografik “Oso Kuka” hapi siparin e ditës ku studentët  përjetuan ndjesi të periudhave historike të ndryshme: nga zbulimet arkeologjike te kostumet etnografike, nga pikturat e Kolë Idromenos  deri te Biblioteka e pasur e muzeut. “Muzeu i Kujtesës” do sillte për studentët elementë të periudhës së komunizmit me  dritëhijet e saj. Udhëtimi vijoi drejt Kalasë së Shkodrës dhe Muzeut të saj. Rrëfimtaria (storytelling) si pjesë e prezantimit të legjendave do plotësonte kuadrin e plotë të udhëtimit.