Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut, aktivitet sensibilizues në UAMD


Me rastin e Ditës Botërore të Dhurimit të Gjakut, Universiteti “Aleksandër Moisiu” u vizitua nga një grup parlamentarësh të Komisionit për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, të kryesuar nga Kryetari Prof. Dr. Enver Roshi dhe zv. Kryetarja, Dr. Klodiana Spahiu .

Aktiviteti sensibilizues u organizua në bashkëpunim me Spitalin Rajonal Durrës dhe Qendrën e Dhurimit të Gjakut Tiranë dhe në të morën pjesë Zv. Rektori për Anën Institucionale, Prof. As. Dr. Lavdosh Ahmetaj, Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale, Prof. As. Dr. Osman Metalla si dhe staf e studentë të Universitetit.

Për kryetarin e Komisionit Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Prof. Dr. Enver Roshi, ky aktivitet është tejet domethënës. “Universiteti “Aleksandër Moisiu” ishte në dispozicion për realizimin e këtij aktiviteti. Kemi një bashkëpunim të mirë jo vetëm për dhurimin e gjakut, por edhe në fusha të tjera si rastet e emergjencave dhe të dhënies së ndihmës së parë”, u shpreh ai. Ndërsa Zv. Kryetarja e Komisionit Klodiana Spahiu, vlerësoi faktin që Universiteti e ka bërë traditë dhurimin e gjakut, teksa vetëm për këtë vit ka patur gati 200 studentë dhurues.

Dhuruesit e gjakut shprehën njëzëri se “dhurimi i gjakut për njerëzit në nevojë i bën të ndihen mirë shpirtërisht”, si dhe ftuan shokët e tyre që të bëjnë një gjë të tillë, brenda mundësive shëndetësore.

Kjo është hera e dytë gjatë këtij viti akademik që Universiteti “Aleksandër Moisiu” bëhet pjesë e nismave për dhurimin e gjakut duke krijuar një bashkëpunim të mirë me Spitalin Rajonal Durrës dhe Qendrën e Dhurimit të Gjakut Tiranë, për të ndihmuar me dhurimin e gjakut në situata emergjente dhe jo vetëm.

Që prej vitit 2004, çdo 14 Qershor organizohet Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut. Për  këtë vit tema e  fushatës është “Gjaku na lidh ne të gjithëve” dhe ka si qëllim rritjen e ndërgjegjësimit të popullatës  për rëndësinë që ka sigurimi në kohë i gjakut.