#HistoriSuksesi/ “UAMD ka mundësinë t’iu transformojë”


“Jam Blerta Çali, ish studente e UAMD-së. Nuk jam prezantuar asnjeherë kështu, por intervista me ju më bëri të kujtoj se jam “ish –studente, produkt i UAMD-së”.

Kam përfunduar studimet Master Shkencor në Menaxhim Marketing (2010-2012) dhe Bachelor në Menaxhim Turizëm (2007-2010).

Aktualisht mbaj postin e Nënsekretares për çështjet e Medias dhe Shoqërisë Civile në Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Në jetë kam dy pasione të mëdha: Politikën dhe Turizmin. Turizmin dhe politikën i bashkon fuqia për të ndryshuar komunitete, për të krijuar aty ku s’ka dhe për të ndërtuar e rindërtuar aty ku duket e pamundur duke përdorur strategjinë dhe komunikimin e duhur.

UAMD-ja ishte një zgjedhje e menduar mirë sepse më ofronte mundësinë të studioja turizëm, një fushë për të cilën në Shqipëri flitej shumë, por dihej pak. Patën kaluar vetëm disa muaj nga përfundimi i studimeve Bachelor kur fillova punën e parë dhe më tej gjithçka ka qënë një përpjekje e vazhdueshme për të sfiduar veten dhe për të arritur çdo objektiv që vendosja.

Unë do t’i përshkruaja vitet e studimit në UAMD si vite dinamike studimi dhe njëkohësisht angazhimi në projekte të ndryshme. Fakulteti të ofronte mundësinë e aktivizimit dhe përfshirjes në konferenca shkencore studentore, në projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, në shkolla dimërore, etj. Vlen të përmendet Konferenca e I Shkencore Studentore, SIFE UAMD 1, Winter School, etj. Përkushtimi individual nga njëra anë është po aq i rëndësishëm sa edhe puna në grup sepse mëson si funksionon puna në grup në universitet, në një kompani apo biznes.

Të gjitha këto të formësojnë gradualisht dhe të japin eksperienca që të vlejnë edhe jashtë mureve të universitetit. E konsideroj të çmuar punën e lektorëve, të cilët me entuziazmin e tyre dinë të motivojnë dhe të mbështesin çdo ditë studentët e tyre në rrugën e bukur dhe të vështirë të studimeve universitare, një rrugëtim i mbushur me sakrifica e përpjekje të vazhdueshme.

Ata që janë aktualisht studentë të UAMD duhet ta konsiderojnë veten me fat sepse një diplomë nga ky universitet është tashmë sukses!

Me fat duhet ta konsiderojnë veten edhe ata që ende nuk e kanë bërë zgjedhjen e Universitetit. UAMD është një universitet që ka mundësinë t’ju transformojë, t’ju veshë jo vetëm me njohuritë për fushën që do studioni, por edhe t’ju përmirësojë duke ngulitur tek ju motivimin dhe disiplinën për t’u vënë në lëvizje çdo ditë, shkathtësinë për të menaxhuar njëkohësisht disa detyra dhe aftësinë për të menaxhuar stresin, dëshirën për të lexuar, për të mësuar dhe për të parë me optimizëm nga e ardhmja…”

Blerta Çali
Bachelor në Menaxhim Turizëm
Master Shkencor në Menaxhim Marketing