UAMD lider në projektet Erasmus + CBHE të Bashkimit Europian


Universiteti “Aleksandër Moisiu” njofton me krenari se është shpallur fitues si lider i projektit Erasmus+ Rritja e Kapaciteteve në Arsimin e Lartë (CBHE) me titull “Përshpejtimi i Modernizimit të Universitetit në Ballkanin Perëndimor përmes Teknologjisë Virtuale” (Accelerating Western Balkans University Modernization by Incorporating Virtual Technologies).

Qëllimi i përgjithshëm i projektit është të prezantojë për herë të parë në universitetet e Ballkanit Perëndimor konceptin e teknologjive virtuale si një mjet për të përshpejtuar modernizimin e universiteteve, duke kontribuar në zhvillimin e shoqërisë të drejtuar nga dija.

Duke përfshirë Teknologjitë Virtuale në kulturën akademike të universiteteve, ne synojmë të rrisim cilësinë dhe nivelin e efikasitetit në mësimdhënie dhe ruajtjes së njohurive përmes metodave interaktive të mësimit, duke kontribuar kështu në rritjen e aftësive dhe ndërtimin e mëtejshëm të shoqërisë dixhitale në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu UAMD do të jetë partner i projektit “Zhvillimi cilësor i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe menaxhimit të projekteve” (Quality development of international cooperation and project management). Qëllimi i përgjithshëm i këtij projekti është përmirësimi i arsimit të lartë në Kosovë dhe në Shqipëri duke ndërtuar kapacitete institucionale për marrëdhëniet ndërkombëtare (përfshirë kapacitetin për menaxhimin e ciklit të projekteve).

Projekti i tretë Erasmus + CBHE ku UAMD do të jetë partner titullohet “Shkëmbimi virtual i universiteteve shqiptare dhe europiane” (Virtual Albanian European Universities Exchange) dhe koordinohet nga Universiteti Teknik i Drezdenit në Gjermani.

Nëpërmjet projekteve për “Rritjen e kapaciteteve”, UAMD synon të modernizojë metodat e mësimdhënies, të krijojë programe të reja studimi ose të përmirësojë programet ekzistuese duke i harmonizuar me ato të vendeve të zhvilluara të BE-së, të trajnojë stafet akademike, të përmirësojë laboratorët, të krijojë shërbime për studentët, për sigurimin e brendshëm të cilësisë, etj.