Shenjat që të bëjnë studentin më të ri të UAMD-së!       


  • Ti je energjik 

Nëse ka diçka të përbashkët që ne studentët e UAMD-së kemi është kjo: ne dimë/duam të angazhohemi. Çdo student mund të anëtarësohet në klube studentore, ekipe sportive, të angazhohet në punë part-time, internship-e apo praktika pune. Në vit të parë mund të zgjedhësh të jesh vullnetar në nisma universitare, pastaj i vjen radha praktikës së punës, bëhesh organizator në klubin tënd studentor, etj. Është shumë, por kjo është jeta e një studenti të UAMD-së. (Ne pimë gjithashtu shumë kafe dhe ambientet e këndshme në Kampus nuk mungojnë 😊). Nëse dëshiron të nxësh dhe të jesh aktiv në shoqëri – pa marrë parasysh sa e vështirë mund të jetë – do të ndjehesh mirë në familjen UAMD.

  • Të pëlqen ndërdisiplinariteti

Me UAMD-në ke bërë një zgjedhje të shkëlqyer, por kjo nuk është e mjaftueshme. Kur zgjedh mes preferencave të tua, herë të intereson Psikologjia, Edukimi, Programet Zhvillimore, Studimet Gjinore, etj. E herë tjetër teknologjia, Multimedia, Shkencat. UAMD-ja është universitet ndërdisiplinar ç’ka të mundëson fleksibilitet për të ndjekur leksione të larmishme. A ka diçka më të rëndësishme në zgjedhjen e një Universiteti?

  • Muze apo ndeshje futbolli? I ke të gjitha

Në rregull, ndoshta nuk je një frekuentues muzeumesh, por kur je në Durrës e kupton çdo të thotë të zgjohesh çdo mëngjes mes amformave dhe trashëgimisë.  Të jesh student i UAMD nuk do të thotë të heqësh dorë nga përvojat më “tradicionale” të gjimnazit (futboll, basketboll apo volejbolli 😁). UAMD ka klube sportive. Sa do të të shkojë fanella sportive ngjyrosur në blunë e detit.  Nëse je tifoz i sporteve dhe po mendon se po të humbas, mos ndalo së lexuari ende. Je në Durrës. Ekipi i futbollit të qytetit (Teuta) është nga më të mirët në vend, ndërsa dy ekipet e basketbollit (Goga Basket dhe Teuta) janë kampionët dhe nënkampionët 🏆. Muze apo stadium? Diçka për të gjithë, me të vërtetë.

  •  Ti je origjinal 

Studentët e UAMD-së nuk kanë frikë të tregojnë veçantinë e tyre. Mund të jesh student i Teknologjisë së Informacionit, i cili gjithashtu pëlqen librin, ose student i Multimedias që e grishin debatet, je në vendin e duhur. Nuk gen dy studentë të njëjtë në UAMD, dhe kjo e bën shumë më interesant takimin me studentët e tjerë.

  • Je i pasionuar 

“Bëj atë që do” mund të duket si klishe, por nuk ka mënyrë më të mirë për të përshkruar pasionin e mishëruar te studentët e UAMD-së. Nuk je këtu thjesht për të marrë leksione, por edhe për t’u  përfshirë në mënyrë që të bësh ndryshime reale, të prekshme në vendin tonë. Leksionet merren jashtë auditorit po aq sa brenda tij, dhe kjo sepse studentët e UAMD-së nuk duan të presin për të bërë ndryshimin që duan.

  • Je aventurier 

Po shkon në një Universitet me 20,000 studentë të tjerë. Sigurisht që do njohësh shumë miq të rinj. Kur shoku juaj ju shkruan për memet e UAMD-së në Instagram (oh, nuk mungojnë 🤦‍♂️), ju do të mbani barkun me dorë. Kur të të ftojnë në ndonjë aktivitet në kampus, do të kuptosh vërtet se për çfarë bëhet fjalë. UAMD ka kaq shumë për të ofruar dhe në mënyrë që të përfitosh sa më shumë nga të qenit student këtu, duhet të jesh i gatshëm të dilësh nga “zona jote e rehatisë”. Nëse je tipi i studentit që është i gatshëm të provojë gjëra të reja, do të mahnitesh me mundësitë që do hasësh në rrugëtimin tënd!

  • Të pëlqen të udhëtosh nëpër botë 

UAMD është më afër me Europën se çdo universitet tjetër. Dhe jo vetëm për faktin që jemi thuajse në breg të detit. Universiteti ka dhjetëra marrëveshje bashkëpunimi me universitete perëndimore ku mund të studiosh. Me bursë të plotë. Po, po me bursë. Shpenzo një semestër në Londër, Valencia, Budapest, Vizdzeme, etj etj. Do të marrësh një perspektivë më globale për fushën tënde të studimit. UAMD është i pashembullt kur vjen fjala për të siguruar mundësi studimi për studentët e saj.

  • Ti je gati për të shkëlqyer 

Shkurt e shqip, shpesh Universiteti teston kufijtë tuaj. Klasat janë të lodhshme dhe ju duhet të punoni me të vërtetë shumë. Mandej është e vështirë të qëndrosh gjithmonë në krye dhe të marrësh notat me të cilat je mësuar në shkollë të mesme. Ti duhet të jesh i gatshëm të studiosh orë dhe orë të tëra për të pasur sukses dhe të “lulëzosh” si akademikisht ashtu edhe personalisht. Duhet të jesh në gjendje të kalosh nëpër kohëra të mundimshme (me ju e kam o provime finale) për të përjetuar kohëra të shkëlqyera.

  • Fillon këtu, shkon kudo! 

Zgjedhja e Universitetit shtron pyetjen finale: a mund ta imagjinosh veten tënde këtu? Kur shikon fotografi të kampusit, laboratorëve, studentëve tanë, ose lexon artikuj si ky, çfarë ndjen? Shpresojmë që të jesh gati për të na u bashkuar në rrugëtimin e mrekullueshëm universitar. Dhe në fund, ashtu siç është motoja e Rrjetit Alumni të UAMD-së, “fillon këtu, shkon kudo”!