Dita e parë e studimeve në UAMD: Bëhu protagonist i së ardhmes tënde


“Hap sytë në mëngjes pas një gjumi tepër të parehatshëm, mbushur plot emocion dhe ankth. Isha përballë një fillimi të ri, dhe kjo më jepte një ndjenjë kënaqësie.

Kur pashë për herë të parë universitetin, m’u duk tepër i ftohtë, si pasojë e madhësisë së tij. Nga frika e madhe se mos arrija vonë apo humbja orën e parë të mësimit, isha aty dy orë më herët 😅.
Më duhet të njihja ndërtesën, kështu që nisa të eksploroja të gjithë auditorët, që nga gjimnazi i quaja akoma “klasa”. Në pesë kate, arrita të mësoja vendodhjen e Bibliotekës, Sekretarisë, Sallës së Konferencave dhe disa zyrave me emërtime që nuk i kisha dëgjuar më parë.

Nuk ishte e vështirë të gjeje miq. Përgjatë eksplorimit tim vura re se shumë të tjerë ishin pas meje, duke u habitur si unë për madhësinë e çdo ambienti. Me një dëshirë të dyanshme për të mos qënë vetëm, u përshëndetëm duke filluar të diskutonim për atë që na priste, për programet tona të studimit, atë që prisnim të ndodhte dhe për atë që donim të arrinim.

E gjetëm derën hapur në UAMD. Të gjithë ishin miqësorë dhe mundoheshin të na bënin të ndiheshim mirë. Studentët më të mëdhenj se ne na treguan për atë që bënin aty, si e kalonin kohën apo se çfarë mund të bënim ne për veten, shoqërinë apo komunitetin në tërësi.

Dita e parë në UAMD përkonte me fillimin e Javës Orientuese, ku studentët e fakultetit mblidheshin në Sallën e Konferencave dhe anëtarët e stafit akademik i njihnin me instotucionin, regulloret e ndryshme  të Fakultetit dhe Universitetit, Kodin e Etikës, etj. Ndërsa pjesëtarë të stafit administrativ jepnin informacione mbi shërbime si programet e shkëmbimit studentor Erasmus +, klubet studentore, këshillimin e karrierës, etj.

Kisha bërë zgjedhjen e duhur. U ndjeva protagonist i një jete që sapo e kisha nisur, në ndjekje të një vizioni të qartë, dhe me shumë krahë që do të më drejtonin dhe ndihmonin në udhën time. Ashtu si në një familje 🙂.”