#HistoriSuksesi, Dalina Beshiri: Me diplomën e UAMD-së, gati për të përballuar çdo sfidë


“Quhem Dalina Beshiri dhe banoj në qytetin e Durrësit. Zgjodha të isha studente e Fakultetit të Edukimit në programin “Gjuhë- Letërsi – Anglisht” pasi ky program studimi të ofron mësimdhënie në më tepër se në një fushë studimi.

Dita e parë në auditor më bëri të kuptoj se isha përballë sfidave të reja, të cilat me përkushtim dhe me punë, i kalova me sukses. Isha në një fazë të jetës ku kisha më tepër përgjegjësi, pasi veç studimeve më duhej t’i përkushtohesha edhe familjes time. Falë ndihmës së stafit akademik, përkushtimit dhe ndihmës së tyre, arrita të menaxhoj mirë kohën që më duhej për të realizuar detyrat e mia si bashkëshorte, nënë dhe studente.

Është një eksperiencë unike të jesh student, pasi përveç përgatitjes për profesionin, të bën më mendjehapur dhe të mëson të bashkëjetosh me njerëz që kanë mendime apo kulturë të ndryshme nga e jotja. UAMD është një universitet që i përket Durrësit, por jo vetëm. Shumë studentë nga rrethet e tjera janë tashmë pjesë i tij. Me të drejtë ky zgjerim duhej të ndodhte pasi po ecim në gjurmët e lashtësisë pasi ka qenë pikërisht në Durrës themelimi i universitetit të parë në rajon rreth vitit 1380. E gjithë kjo të bën të ndjehesh krenare për qytetin tënd dhe për universitetin që kam ndjekur i cili është një vlerë e shtuar për të.

Me mbarimin e studimeve dhe mbrojtes së diplomës aplikova në shkolla të ndryshme të qytetit të Durrësit.Vërtet nuk kisha asnje vit eksperiencë në mësimdhënie, por nga ana tjetër universiteti më kishte ofruar konferenca apo edhe mundësi për botime të ndryshme duke e bërë netëshkrimin tim më të pasur. Kjo bëri që të mos hasja asnjë pengesë duke e parë veten po atë vit si pjesë e stafit pedagogjik. Nuk pata asnjë vështirësi për të aplikuar njohuritë teorike në terren duke më bërë të ndjehem mirënjohëse ndaj UAMD -së.

Pak kohë më parë u vlerësova nga UAMD me Çmimin e Karrierës për ALUMNI-t e këtij universiteti. Të vlerësohesh me një cmim të tillë, pak personave mund t’u ndodhë. Sigurisht e konsideroj veten me fat që gjatë rrugëtimit tim në UAMD kam takuar njerëzit e duhur në kohën e duhur. Asgjë nuk do të ishte e mundur nëse nuk do të kisha ndihmën e mbështetjen e stafit akademik. Ky çmim më motivon për të vazhduar me pasion këtë rrugë që kam zgjedhur. Jam e bindur që ai që punon, një ditë evidentohet e shpërblehet. Për mua nuk shpërblim më të mirë se sa vlerësimi i atyre që kontribuan dhe më ndihmuan që të jem këtu, që më ndihmuan për të përballuar sfidat e që bënë të mundur të jem pjesë e denjë e shoqërisë.

Studentëve, të cilët zgjodhën këtë program studimi u them që të jetojnë çdo ditë me krenarinë e të qenit studentë në UAMD. Shfrytëzoni çdo moment, çdo mundësi që ju jepet. “Rrëmbejini” lektorëve, pedagogëve, çdo njohuri pasi kjo do të vendosë për të ardhmen tuaj.”

Dalina Beshiri
BSc: Gjuhë- Letërsi – Anglisht
MSc: Mësimdhënie në Gjuhë- Letërsi – Anglisht

(Aktualisht nëndrejtoreshë në shkollën jopublike 9- vjeçare dhe të mesme “Mihal Ekonomi”)