Përmirësimi i mjedisit të punës përmes barazisë gjinore dhe drejtësisë sociale


Drejtori i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike në UAMD, Z. Xhafer Rakipllari, mori pjesë në një workshop një-ditor të organizuar nga Risi Albania për të diskutuar mbi çështjet gjinore dhe përfshirjen sociale si dhe mbi rëndësinë që këto çështje kanë për krijimin e një mjedisi më të mirë pune.

Pjesëmarrësit në workshop u njohën me shembuj teorikë të bazuar në praktikat më të mira botërore, përditësimet e legjislacionit Evropian dhe atij shqiptar, të kombinuara me shembuj praktikë se si institucione të ndryshme private dhe publike mund t’i integrojnë dhe zotërojnë këto praktika për të përmirësuar aspekte të ndryshme siç është balancimi midis punës dhe jetës, procedura të brendshme më të drejta, rritja e performances së punonjësve që të kenë rezultate më të mira në punë, etj.

“Krijimi i vendeve të punës në një sipërmarrje me mjedis të fortë e konkurrues dhe të zbatosh parimet e barazisë gjinore dhe përfshirjes sociale duket gati i pamundur, i kushtueshëm dhe jokonsistent. Por shumë prej shembujve të paraqitura në trajnim tregojnë të kundërtën. Çështjet gjinore dhe përfshirja sociale mund të bëhet pjesë e filozofisë së sipërmarrjes. Risi mbështet ato kompani që synojnë rritje cilësore”,  u shpreh Stefan Joss, drejtor i projektit RisiAlbania .

“Të mësosh më shumë për diversitetin, përfshirjen dhe drejtësinë do të ndryshojë përgjithmonë se si i shikoj procedurat e punës dhe marrëdhëniet me kolegët e mi”, u shpreh nga një prej të pranishmëve nga sektori privat. Xhafer Rakipllari nga Universiteti “Aleksander Moisiu” në Durrës shprehu dëshirën për të zhvilluar trajnime të tilla edhe me audienca më të reja, siç janë studentët në universitete.

Të kesh forcë pune më të larmishme përmirëson fitimet e biznesit me një diferencë të konsiderueshme. Produktiviteti për një punonjës mund të rritet deri në 40% duke eleminuar të gjitha format e diskriminimit ndaj punëtoreve dhe menaxhereve gra sipas studimeve më të fundit.

Menu