Ministri Klosi në UAMD, ndalimi i qeseve plastike do të ndryshojë të ardhmen në mjedis


Më datë 20 shtator, 2019, Universiteti “Aleksandër Moisiu” priti në një takim Ministrin e Turizimit dhe Mjedisit, z. Blendi Klosi, Prefektin e Durrësit z. Roland Nasto dhe të rinjtë e “Smile Albania” për të diskutuar mbi nismën e ndërmarrë për eleminimin e qeseve plastike.

“Debatin publik për elemiminim e përdorimit të qeseve plastike zgjodhëm ta nisim nga Universiteti juaj sepse jeni më afër turizmit. Ne do të angazhohemi në aksione të përbashkëta me institucione publike dhe në debate të tilla për ndërgjegjësimin e opinionit publik. Po punojmë që në qershorin e vitit 2020 të kemi eleminuar të gjithë përdorimin e qeses plastike në vend”, u shpreh ministri Blendi Klosi, ndërsa i bëri apel institucioneve vendore për një mjedis sa më të pastër.

Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, u shpreh se është e nevojshme që nisma të tilla duhet të nisin më herët, në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme. Ajo shprehu gatishmërinë që këtë punë të rëndësishme ta kryejnë pedagogë të Fakultetit të Edukimit në Durrës.

Në fund të takimit z. Klosi u njoh edhe me Klubin për Shoqëri të Ndjeshme, i themeluar nga studentët e UAMD-së. Xhensila Alla, pjesë e këtij klubi studentor, e përgëzoi ministrin për nismën dhe e njohu atë me fushatën ndërgjegjësuese që klubi ndërmorri në Ditën Botërore të Mjedisit.

Janë të rinjtë ata që me angazhimin e tyre mund të ndihmojnë dhe ndërgjegjësojnë shoqërinë për eleminimin e qeseve plastike dhe një mjedis më të pastër.