Ceremonia e Diplomimit të Gjeneratës së Dhjetë


10 vjet plot arritje e suksese për të diplomuarit Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Më date 27 shtator 2018, u organizua Ceremonia e Diplomimit për 1270 studentë të programeve Bachelor në Fakultetin e Biznesit, atë të Edukimit, Shkencave Politike-Juridike, Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit dhe Fakultetin e Studimeve Profesionale.

Në ceremoninë e organizuar në ambientet e Sfinksit në Durrës ishin të pranishëm, rektorë, përfaqësues të pushtetit lokal, miq të Universitetit dhe familjarë të studentëve.

Në një atmosferë festive, Rektori i Universitetit, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, falenderoi pjesmarrësit dhe uroi studentët, jo vetëm për përmbylljen me sukses të ciklit të parë të studimeve, por edhe për nisjen e rrugëtimit të ri në karrierën e tyre profesionale. Ajo vlerësoi trupën akademike për punën e palodhur dhe shprehu mirënjohje të veçantë për prindërit dhe familjarët e studentëve të diplomuar.

“Ne jemi, jo një enë që gëlon, por një mozaik i bukur – njerëz të ndryshëm, besime të ndryshme, dëshira të ndryshme, shpresa të ndryshme dhe ëndrra të ndryshme…Ju duhet të keni ëndrra të mëdha; “nuk mund të vendosni një kuti të madhe brenda një kutie të vogël”. Unë ju them sot, nuk mund të vendosni një jetë aktive e të gjallë, si juaja, në një ëndërr të vogël. Një pjesë e ëndrrave tuaja do të nisin realizimin e tyre këtu ”, u shpreh ndër të tjera nj. Rektore.

E nderoi këtë ceremoni gazetari Marin Mema, i cila mbajti një fjalim shumë motivues për të  sapo diplomuarit dhe gjithë pjesëmarrësit.

“Qëndroni këtu, sfidoni vështirësitë dhe ndërtoni të ardhmen tonë të përbashkët”, ishte mesazhi i rëndësishëm i përcjellë prej tij. Fjala e z. Mema u shoqërua vazhdimisht me duatrokitje të ngrohta.

Në emër të rrjetit ALUMNI përshëndeti Mirseda Shehdula, e cila në mesazhin qw përcolli i mwshoi këmbënguljes dhe dëshirës për të mos hequr kurrë dorë nga ëndrrat, të cilat studentwt do të duhet t’i kthejnë në qëllime për të ardhmen. Qëllimi kryesor i Rrjetit Alumni UAMD është të nxisë frymën e përkatësisë dhe bashkëpunimit midis Universitetit dhe ish-studentëve, në mënyrë që të promovojë dhe avancojë interesat e përbashkëta të të dyja palëve.

Gjatë ceremonisë vëmendje e veçantë iu kushtua studentëve me arritjet më të larta akademike. Dekanët i vlerësuan ata duke shpërndarë certifikata për më të mirët e çdo fakulteti dhe i ftuan ata të vazhdojnë të lënë gjurmë në UAMD.

Siç e do tradita, Ceremonia u mbyll me “Formulën e Diplomimit” dhe hedhjen e kapeleve në shenjë të kurorëzimit me sukses të këtij cikli studimesh.

Diplomimi i Gjeneratës së 10 të studentëve të Programeve Bachelor në UAMD u mbështet bujarisht nga Banka që flet gjuhën tonë, Credins Bank, dhe nga kompania multinacionale “Crystal System”, mbështetëse e talenteve të reja në ICT.

*Ceremoni e plotë të diplomimit mund ta ndiqni më poshtë: