Histori Suksesi, Erisilda Shpata: Ndiqni ëndrrat! Në UAMD mund të shkëlqeni…


Jam Erisilda Shpata dhe kam ndjekur studimet Bachelor në “Drejtësi” dhe Master në “E Drejtë Private” në Fakultetin e Shkencave Politike – Juridike.

Që prej momentit kur kam  përzgjedhur Universitetin “Aleksandër Moisiu”, pavarësisht mosbesimit të dikujt, thellë brënda meje e ndieja se kisha bërë zgjedhjen e duhur dhe do t’ia dilja të shkëlqeja. Dhe padyshim ashtu ndodhi.

Në vitin 2009 krejt e vetme jam transferuar nga qyteti im i lindjes, Korça, në një qytet që nuk e njihja asfare. Universiteti më befasoi që ditët e para duke ma lënë mua të drejtën që të bëja përzgjedhjen e orëve kur do të zhvilloja mësimin, që përkonte në të njëjtën kohë dhe me përzgjedhjen e pedagogëve, si dhe përzgjedhjen e lëndëve me zgjedhje.

Në UAMD u rrita me bindjen se meritokracia është ajo që ka vlera, se orët e gjata të studimit në fund përkthehen në dije e vlerësim të drejtë. Mbaj mend sesi ndërthurja e Sistemit Europian të Transferimit të Krediteve (ECTS) dhe Sistemit Amerikan të Krediteve (USCr), mbajtja e provimeve të ndërmjetme dhe një përfundimtari me shpërndarje pikësh në secilin prej tyre, më mbante vigjilente në frekuentimin e rregullt të çdo ore mësimi. Ndërsa detyrat e kursit dhe pesha e tyre në vlerësimin përfundimtar krijuan për herë të parë tek unë rëndësinë e krijimit të një mendimi kritik e hulumtues.

Punësimin në profilin e studimeve e nisa përgjatë kohëzgjatjes së studimeve Master, si asistent avokate  në  Tetor të vitit 2014. Pas përfundimit të Shkollës Kombëtare të Avokatisë, Tiranë, kam vazhduar punësimin si Avokat deri në Korrik 2019, moment në të cilin në bashkëpunim me miken e ngushtë, edhe ajo produkt i UAMD-së, vendosëm të hapim Studion tonë të avokatisë në Durrës.

Përgjatë kësaj periudhe 5 (pesë) vjeçare kam punuar si  eksperte e jashtme pranë Shoqatës së Grave me Probleme Sociale Durrës (SHGPS); si trajnere në takime e fushata ndërgjegjësuese kundër dhunës në marrdhëniet familjare, barazisë gjinore; si eksperte e jashtme/ monitoruese e  zbatimit të Strategjisë Kombëtare për Barazinë Gjinore; Avokate për ofrimin e ndihmës ligjore falas për viktimat e dhunës në familje; eksperte e jashtme/monitoruese dhe korespondente e Komitetit Shqiptar të Helsinkit në qytetin e Durrësit; ofruese e ndihmës juridike parësore falas mbështetur financiarisht nga “Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë”. Së fundmi jam përzgjedhur nga Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë (DHSHA) dhe Ministria e Drejtësisë në ofrimin e ndihmës juridike falas në qytetin e Durrësit.

Nëse kam patur ndokënd për të falenderuar për atë që unë jam sot, janë padyshim të gjithë ata që në rrugën e dijes më kanë mbështetur e motivuar që jo vetëm të jem një studente e dalluar, por që gjithçka ka rëndësi në jetë e në profesionin tonë janë profesionalizmi dhe shpirti human.

Iu jam mirënjohëse atyre që në fillimet e mia ngritën dyshimet nëse universiteti që unë kisha zgjedhur ishte i duhuri apo jo, që largimi nga qyteti i lindjes do të ishte i gabuar. Falë dyshimit të tyre unë gjeta motivimin brenda vetes dhe falë mbështetjes të gjithanshme të UAMD-së, unë ia dola. Ia dola që të mos jem thjesht një e diplomuar më shumë, por që çdo ditë e më shumë të bëj me pasion atë që më tepër kam dashur në këtë jetë, duke dhënë kontributin tim për një shoqëri më të mirë.

Për studentët që sot janë në mëdyshje mes programeve e universiteteve që duhet të zgjedhin, kam vetëm një mesazh: “Ndiqni ëndrrat e besojini gjithmonë zërit tuaj të brëndshëm. Në UAMD ju  mund të shkëlqeni!”

Erisilda Shpata
Avokate
Bachelor në Drejtësi
Master Shkencor në “E Drejtë Private”