Çel dyert Kinfolk, hapësirë për studentët e UAMD-së


Çeli dyert në qytetin e Durrësit “Kinfolk Coffee Library”, ndërmarrja e parë sociale në një pronë të konfiskuar nga krimi i organizuar.

Të pranishëm në aktivitet ishin Ambasadori i BE-së, Sh.T. Z. Lugi Soreca, Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, znj. Valbona Sako, zv. Ministra dhe përfaqësues të shoqërisë civile. Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Klubeve Studentore në Universitetin “Aleksandër Moisiu”.

Në fjalën e tij z. Soreca u shpreh se “kthimi i pasurive te përfituar nga krimi ne shërbim te nevojave te komunitetit është thelbësor për proceset integruese. Mesazhi, energjitë që mund të japin këto aktiviteteve janë të rëndësishme në një vend ku krimi i organizuar është pjesë e jetës”.

Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, znj. Valbona Sako, e cilësoi Kinfolk-un si dhuratë për qytetin dhe ftoi të rinjtë ta frekuentojnë këtë mjedis argëtues dhe të shfrytëzojnë rastin për të lexuar.

Në fund të takimit z. Soreca u takua me studentët e UAMD-së dhe iu kërkoi atyre që përhapin lajmin si një mesazh për triumfin e së mirës ndaj së keqes.

“Kinfolk Coffee Library – Iniciativa sociale si një masë për parandalimin e përfshirjes së të rinjve në krim në qytetin e Durrësit ” zbatohet nga Fondacioni Arsimor Shqiptar (FASH) dhe Qendra për Zhvillimin e Shoqërisë Civile Durrës (CSDC).