UAMD nderon me titullin “Doctor Honoris Causa” akademikun e shquar, Prof. Dr. Rexhep Qosja


Akademiku dhe profesori i shquar, Rexhep Qosja u nderua sot gjatë një ceremonie të zhvilluar në Durrës me titullin “Doktor Honoris Causa”, akorduar nga Senati Akademik i Universitetit “Aleksandër Moisiu”.

Prof. Dr. Rexhep Qosja u nderua me titullin e lartë me motivacionin: “Për kontribut të shquar e shumëdimensional në zhvillimin e kulturës, arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në Kosovë dhe në mbarë botën shqiptare; si studiues i shquar i shkencave albanologjike; si themelues dhe drejtues i institucioneve, programeve të studimit e organeve shkencore; si studiues i letërsisë, në veçanti i letërsisë së Rilindjes Kombëtare Shqiptare; si historian i letërsisë e kritik letrar; si shkrimtar, publicist e polemist; si një zë origjinal në trajtimin e problemeve të mëdha të kohës, bazuar vetëm në kriterin e së vërtetës; si veprimtar shoqëror e politik, si një ndër intelektualët më të shquar të kombit shqiptar; si shembulli më i mirë i akademikut, studiuesit, krijuesit e intelektualit; si Nder i Kombit”.

Në ceremoninë akademike të dhënies së titullit të nderit morën pjesë personalitete të arsimit dhe shkencës, studiues të gjuhës e letrave shqip, përfaqësive diplomatike, si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Në fjalën e saj, Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski vlerësoi lart kontributet akademike të Akademik Rexhep Qosjes. Ajo u shpreh e nderuar që tashmë një figurë e tillë, e cila lidhet me shumë aspekte të zhvillimit në shkencave albanologjike, të arsimit tonë kombëtar dhe të kulturës shqiptare, është pjesë e familjes së UAMD-së.

Në fjalën e tij, Akademik Rexhep Qosja u shpreh i ngazëllyer me vlerësimin. “Faleminderit Senatit Akademik për titullin e nderit. Ky titull më gëzon sepse më jepet prej një universiteti që mban emrin e një prek artistëve më të lavdishëm shqiptarë e europianë, Aleksandër Moisiu. Ai ishte artist me sjellje të fisme në kohë të keqe e të mirë”, u shpreh ndër të tjera ai.

Akademiku Qosja mbajti gjithashtu një kumtesë me temë:  “Kohezioni shoqëror e mbarëkombëtar dhe rrezikuesit e tij”.

“Duhet të mësojmë prej historisë. Duhet të forcojmë kohezionin shoqëror dhr kombëtar, i cili po rrezikohet nga krahinarizmi dhe lokalizmi. Këto i shpallin si shtyllë kurrizore të Kosovës apo Shqipërisë, ndërsa promovuesit qëndrojnë në institute shkencore dhe jo shkencore të vendeve tona. Ndarja sipas klasave, korrupsioni, padrejtësia dhe cënimi i dinjitetit njerëzor po ashtu cënojnë kohezionin tonë mbarëkombëtar”, u shpreh Akademik Qosja.

Për të parandalimi i së keqes bëhet më së pari nga intelektualët dhe universitetet. “Qëmtoni dhe kumtoni të këqijat që dëmtojnë vendin, dobësimin e vlerave, moralin dhe rrjedhimisht kohezionin tonë social dhe mbarë kombëtar. Fokusohuni te shkenca, artet, kultura që janë të gjithëkohëshme, përmbajtja që ruan dhe pasuron identitetin e kombit”, ishte kumti që përcolli nderi i Universitetit të Durrësit.

Ceremonia e dhënies së titullit të nderit iu dha Prof. Dr. Rexhep Qoses në fillim të punimeve të Konferencës Ndërdisiplinore Ndërkombëtare “Institucionet sociale në shoqërinë bashkëkohore: Bashkëveprimi ndërmjet arsimit, familjes, besimit fetar, politikës dhe ekonomisë”.

Kjo ngjarje shkencore bëri bashkë 270 studiues nga 18 shtete të ndryshme, të cilët shkëmbyen ide dhe përvoja studimore në lidhje rolin e institucioneve arsimore, familjes, religjionit, por edhe lëvizjeve qytetare apo komuniteteve në shoqërinë bashkëkohore. Një fokus i veçantë në prezantimet e akademikëve pjesëmarrës iu kushtua sfidave dhe problematikave që prekin të rinjtë, emigracionin, pjesëmarrjen qytetare, etj.

Gjatë punimeve të konferencës u ndanë gjithashtu dy çmime: “Studiuesi/botimi i Vitit në shkencat sociale dhe humane” si dhe çmimi për studiuesin e ri më të mirë në këtë fushë.