Sukseset e “Erasmus + CBHE”: UAMD prezanton projektet VTech dhe ALMARS


Zyra e Projekteve dhe Marrëdhënieve me Jashtë në Universitetin “Aleksandër Moisiu” ishte pjesëmarrëse në aktivitetin “Dita Kombëtare Informuese mbi Programet Erasmus+” , ku prezantoi projektet ndërkombëtare të institucionit.

Dr. Albana Halili i njohu të pranishmit me projektin “Erasmus + CBHE” me titull “Përshpejtimi i Modernizimit të Universitetit në Ballkanin Perëndimor përmes Teknologjisë Virtuale” (Accelerating Western Balkans University Modernization by Incorporating Virtual Technologies – VTech).

“Qëllimi kryesor i projektit është të integrojë për herë të parë në universitetet e Ballkanit Perëndimor konceptin e teknologjive virtuale si një mjet për të përshpejtuar modernizimin e universiteteve. Duke përfshirë Teknologjitë Virtuale në kulturën akademike, ne synojmë të përmirësojmë cilësinë në mësimdhënie dhe të kontribuojmë në ndërtimin e mëtejshëm të shoqërisë digjitale në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor”, u shpreh Halili.

UAMD është lider i projektit “VTech”, në krye të një Konsorciumi prej 11 partnerësh.

Gjatë Ditës së Informimit të Erasmus + u prezantuan gjithashtu edhe projektet e tjera ku universiteti është angazhuar, ndër të tjera edhe projekti “Blue Growth and Curriculum Development of Marine Fishery in Albania – ALMARS”.

ALMARS është një projekt që synon të përmirësojë industrinë e peshkimit detar në Shqipëri. Ai koordinohet nga Universiteti i Splitit dhe Universiteti “Aleksandër Moisiu” është një ndër partnerët. Përfitues i projektit është Departamenti i Shkencave Inxhinierike dhe Detare në Fakultetin e Studimeve Profesionale.

“Objektivat kryesore të projektit janë: çelja e një programi të përbashkët Master Profesional në Peshkimin Detar, që besojmë do të plotësojë nevojat e tregut; rritja e bashkëpunimit mes palëve të interesit për zhvillimin e zonave bregdetare përmes ndërtimit të një platforme rrjetëzimi; si dhe përmirësimi i qendrave të trajnimit detar, të cilat do të ofrojnë trajnime profesionale për detarët e anijeve të pëshkimit”, shprehet Xhafer Rakipllari, Drejtor i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike në UAMD.

UAMD ka një histori të frytshme si një institucion akademik i angazhuar ndërkombëtarisht. Suksesi i universitetit me projekte ndërkombëtare – në rolin e partnerit dhe të udhëheqësit – tregon se universiteti është në rrugën e duhur për të përfituar, shpërndarë dhe transferuar njohuritë akademike të aplikuara.

UAMD ka nënshkruar rreth 80 Marrëveshje Bashkëpunimi me universitete dhe kompani të ndryshme, më shumë se gjysma e të cilave janë nënshkruar me Institucione të Arsimit të Lartë jashtë vendit.