Dr. Lafe prezanton vlerat e Dyrrachiumit në Washington D.C.


Drejtori i Qendrës për Zhvillimin e Trashëgimisë Antiko – Mesjetare Shqiptare në UAMD, Dr. Ols Lafe, mbajti një fjalë në takimin vjetor te 121-të të Institutit Arkeologjik të Amerikës në Washington D.C. Aktiviteti u zhvillua në nderim të punës së gjatë profesionale të Prof. Jack L. Davis, i cili u vlerësua me Medaljen e Artë të Arritjeve të Shquara në Arkeologji për vitin 2020.

Profesor Davis ka punuar prej vitit 1998 në Shqipëri në qytetet antike të Apollonisë dhe Epidamnos/Dyrrachium (Durrës), dhe është vlerësuar me titullin “për merita të veçanta civile” nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë në vitin 2017 për shkak të kontributit të tij të jashtëzakonshëm në avancimin e arkeologjisë së kërkimit sipërfaqësor në Shqipëri.

Fjala e Dr. Lafe u fokusua pikërisht në punën e Prof. Davis në Apolloni dhe Durrës, përdorimin e metodave të reja në hulumtimin e territorit dhe vlerësimin e bashkëpunimit me partnerët amerikanë duke i nxitur të vijojnë me përfshirjen në planet e tyre të kërkimeve edhe zona të tjera të territorit të Shqipërisë me qëllim krijimin e hapësirave për projekte të reja arkeologjike dhe zgjerimin e njohjes së Shqipërisë dhe vlerave të saj arkeologjike në arenën ndërkombëtare.