Promovohet libri “Logjistikë Detare” i autores Dr. Eli Vyshka


Në datën 10 janar, 2020, u promovua në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës libri “Logjistikë Detare”, me autore Përgjegjësen e Departamentit të Shkencave Inxhinierike dhe Detarisë, Dr. Eli Vyshka.

Teksti ka për qëllim t’iu japë studentëve njohuri mbi Logjistikën Detare, rrjetet dhe aktivitetet logjistike, sistemet logjistike dhe ndikimet e tyre në integrimin e transporteve dhe të porteve etj.

Në fjalën e saj, autorja falenderoi të pranishmit dhe u shpreh se “ky libër ka lindur si nevojë e Masterit të ri që Universiteti ka hapur në këtë fushë.” “Libri synon të përgatisë profesionistët e ri të logjistikës detare për tregun e punës”, u shpreh më tej ajo.

Dekani i Fakultetit të Studimeve Profesionale, Prof. As. Dr. Osman Metalla, ndër të tjera tha se “libri sjell ekspertizë të munguar në literaturën e këtij lëmi në gjuhën shqipe.”

“Kjo dëshmon se Universiteti i Durrësit po shndërrohet në qendër të rëndësishme për të gjithë aktorët e detarisë”, nënvizoi ai.

Zv. Rektori për Kërkimin Shkencor, Prof. Dr. Lekë Sokoli vlerësoi kontributin shkencor të autores dhe tha se “libri vjen natyrshëm nga një profesioniste e kësaj fushë dhe i kalon kufijtë e UAMD-së”.

Logjistika detare është një fushë relativisht e re, por me zhvillim të vrullshëm si faktor kyç i suksesit për bizneset dhe ekzistencën e tyre në konkurrencën ndërkombëtare. Mungesa e literaturës në gjuhën shqipe ishte motivi për përgatitjen e këtij teksti mësimor.

Libri përmbledh në mënyrë organike leksionet e mbajtura nga autorja në programin e studimit Master Profesional “Logjistikë dhe Siguri Detare”, i vetmi i këtij lloji në Shqipëri, dhe që ofrohet nga Departamenti i Shkencave Inxhinierike dhe Detarisë, pranë Fakultetit të Studimeve Profesionale të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës.