“Të studiosh poezinë si art i ligjërimit”


Në sallën  e konferencave të Fakultetit të Edukimit, të enjten u mbajt një leksion i hapur nga  Prof. As. Dr. Tomorr Plangarica me temë: “Të studiosh poezinë si art i ligjërimit”.

Prof. As. Dr. Suela Kastrati lektore dhe njëkohësisht Përgjegjëse e Departamentit të Gjuhës Shqipe në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, Durrës, bëri përshëndetjet e rastit duke falënderuar Profesor Plangaricën për prezencën e tij në këtë sallë mes studentëve dhe pedagogëve të këtij fakulteti. Pjesë e panelit ishin edhe Natasha POROCANI (SHUTERIQI) Diplomuar në gjuhë shqipe dhe letërsi.Doktoruar në fushën e gjuhësisë së aplikuar, autore e një numri të konsiderueshëm tekstesh shkollore në Shqipëri e diasporë, Dr. Edlira Abdurrahmani, Dr. Manjola Zaçellari dhe Dr. Manola Myrta. Këto të fundit, lektore pranë Departamentit të Gjuhësisë në UNiversitetin “A. Moisiu”  Durrës.

Në leksionin e tij të hapur i cili u ndoq me mjaft interes, Plangarica  trajtoi çështjet e mëposhtme:

– Qasjen e sotme ndaj tekstit letrar, në veçanti atij poetik, nga shkencat e ligjërimit.

– Praninë e ndërdisiplinaritetit në shqyrtime si vlerë dhe domosdoshmëri: koncepte dhe metodologji të përftuara tashmë në këtë kontekst ndërdisiplinor.

– Natyra e raporteve të përvijuara mes tekstit poetik e gjuhësisë në historinë e njëqind vjetëve të fundit.

– Interesimet e gjuhëtarëve të shquar për tekstin poetik: Sosyri, Benvenisti, Jakobsoni, Koseriu, Vainrihu.

– Fushat e gjuhësisë në të cilat poezia mundëson të hapen perspektiva te reja : sintaksa, semantika, pragmatika.

– E pavetëdijshmja dhe evokimi në ngjizjen e mesazhit/tekstit poetik dhe qasjet konjitiviste në ndihmë të interpretimit të dukurive poetike.

– Përmes një varianti leximi të poezisë «Kristal» të I. Kadaresë do të argumentohet vlera praktike, zbatuese, e prurjeve teorike në shkencat e ligjërimit për interpretimin e tekstit poetik. Në veçanti do të ngulmohet se:

* pothuajse të gjitha veprat e shquara të fiksionit transmetojnë një «mesazh ose mesazhe» që janë transmetuar nga teksti, por që nuk janë në tekst (Searle);

* ngjizja gjuhësore e tekstit të poezisë «Kristal» është pasqyruese e operacioneve mendore që nxiten nga një gjendje emocionale e caktuar, nga e pavetëdijshmja që më tej mundëson formësimin e një «realiteti» poetik me konture e natyrë të caktuar;

* përzgjedhjet gjuhësore dhe struktura poetike e përftuar në poezinë «Kristal» ndjekin linjën e kalimit të natyrshëm të interpretimit të brendshëm që pësojnë ndijimet a ndjesitë e përlindura, për t’i konkretizuar, duke u bartur në konceptet e gjësendeve në të cilat ato fshihen.

Pjesa e dytë e këtij leksioni të hapur ishte një bashkëbisedim me pedagogë e studentë ku profesor Plangarica iu përgjigj edhe pyetjeve të këtyre të fundit.

Pyetjet e studentëve silleshin rreth  tendencës së Ismail Kadaresë në fjalëformim ku sipas Plangaricës, kjo tendencë nuk e çorienton lexuesin, por përkundrazi rrit ngjyrimin emocional.

Plangarica thekson gjithashtu se gjuhësia konjutive dhe poetika konjutive janë shumë të lidhura me njëra – tjetrën, aq sa kjo e dyta nuk ka ku shkon pa të parën.

Shumë interesant ishte mesazhi që Profesor Plangarica solli para studentëve ( gjithmonë në përgjigje të pyetjes së tyre). Ai theksoi se nëse arrini të harmonizoni të shijuarit e gëzimeve moshore, me përmbushjen e detyrimeve që kërkon statusi juaj si student, atëherë do të jeni të suksesshëm në jetën tuaj.