UAMD organizon Forumin e Parë të Klubeve Studentore


Në 24 janar, Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, u mbajt në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Forumi i Parë i Klubeve Studentore. Në këtë ditë që shenjon rolin e arsimit në fuqizimin e individit, ruajtjen e planetit, ndërtimin e një të ardhmeje plot prosperitet, UAMD bëri bashkë klubet studentore që shpalosën aktivitetet e kryera dhe prezantuan planet e tyre për vitin 2020.

Klubi për Shoqëri të Ndjeshme (me tri ndëndarjet e tij #EarthTeam, #SocialTeam dhe #CultureTeam), Klubi i Librit, Klubi I Multimedias dhe Fotografisë, Klubi i Debatit, Klubi i Juristëve të Rinj, etj. shpalosën ide të shkëlqyera që jo vetëm gjallërojnë jetën studentore, siç kanë bërë deri tani, por edhe shtrihen më gjerë në shërbimet komunitare.

E ku kishte ditë më të përshtatshme për të shpërndarë certifikatat e mirënjohjes për studentët vullnetarë që u angazhuan aktivisht në ndihmë të qytetarëve pas tërmetit që goditi Durrësin nëntorin e kaluar. Vullnetarët-vullnetmirët janë krenaria e Universitetit!

Këtë aktivitet e nderoi me pjesëmarrjen e saj edhe znj. Rektore, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski. Në fjalën e saj, ndër të tjera ajo u shpreh:

“Nuk e kemi zgjedhur rastësisht të organizojmë Forumin e Parë të Klubeve Studentore në Ditën Botërore të Arsimit. Arsimi është në zemër të të dyjave, personales dhe komunitares. Pra, teksa ai na ndihmon të zhvillohemi personalisht, na përgatit gjithashtu të kontribuojmë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Ne sot jemi mbledhur me studentë të klubeve të ndryshme, të talenteve të ndryshme. Arsimi i ndihmon njerëzit të zhvillojnë talentin e tyre dhe të realizojnë potencialet e tyre krijuese, përfshirë përgjegjësinë për jetën e tyre dhe aftësinë për të kontribuar në shoqëri. Arsimi është gjithashtu një katalizator i fuqishëm për të luftuar varfërinë dhe pabarazinë, për të përmirësuar mirëqenien dhe për të luftuar diskriminimin”.

Rektorja e mbyll fjalën e saj me një pjesë nga manifesti i UAMD-së:

“Studenti i UAMD-së e di që fillesa, formësimi dhe zhvillimi i udhëheqësisë fillon me jetën studentore. Ndaj gjithmonë përpiqet të zbulojë veten… Organizimeve dhe jetës sociale brenda universitetit, studenti u vë shpatullat. Kjo të bën lider.
Studenti i UAMD-së punon pa rreshtur për të zhvilluar cilësitë e tij, të cilat nuk i ka të mbrujtura në kodin e tij gjenetik, por i arrin me punë”.

Dhe unë ju inkurajoj fuqimisht të vazhdoni punët e nisura. Mbështetja ime dhe e stafit tim nuk do të mungojë asnjëherë!