Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, Thirrja V


Në mbështetje të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 395, datë 29.04.2015 “Për miratimin e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës në Administratën Shtetërore dhe Institucionet e tjera Publike”, i ndryshuar,  Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë shpall thirrjen e pestë të “Programit Kombëtar të Praktikave të Punës”.

Informacionin rreth programit, profilet e kërkuara, numrin e praktikantëve dhe institucionet pjesëmarrëse mund t’i gjeni në linkun :
http://praktika.arsimi.gov.al.

Këtu mund të kryeni edhe aplikimin online, pasi të klikoni në dritaren “Apliko”. Aplikimi është i hapur për të rinjtë, që përmbushin këto kritere:
– Të jenë 21-26 vjeç;
– Të kenë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve “Bachelor”;
– Të mos kenë qenë pjesë e programit gjatë thirrjeve të mëparshme.

Të rinjtë e interesuar duhet të aplikojnë vetëm në një institucion të caktuar, në të kundërt aplikimi i tyre nuk do të merret në konsideratë.

Dokumentet që duhet të ngarkojnë aplikantët janë:
– CV (jetëshkrim) e aplikantit;
– Letra e motivimit.

Afati për aplikim është nga data 7 shkurt deri më datë 29 shkurt 2020. Pas mbylljes së aplikimeve, institucionet përkatëse do të lajmërojnë nëpërmjet postës elektronike të përzgjedhurit për të filluar praktikën 3- mujore, nga data 9 mars – 9 qershor 2020.

Pjesëmarrësit do të përfshihen në një përvojë pune, në ndërveprim me profesionistët në administratën publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe shoqëritë tregtare, me qëllim përfitimin e njohurive praktike, pasurimin e jetëshkrimit të tyre, zgjerimin e rrjetit të kontakteve, pajisjen me të ashtuquajturat “aftësi të buta” si puna në grup, komunikimi i sigurtë,
përshtatshmëria në ambientin e punës, aftësia për të ndërmarrë iniciativa.

Periudha tre – mujore e praktikës do të njihet si përvojë pune nga Departamenti i Administratës Publike, ndërsa në përfundim të saj ofrohet
punësim për mbi 200 më të mirët.