Studentët e UAMD-së pjesëmarrës në seminarin mbi njohjen dhe sfidat e ekstremizmit të dhunshëm


Numrat flasin më shumë sesa fjalët për brishtësinë e mbrojtjes së të rinjve nga radikalizimi në internet dhe ekstremizmi i dhunshëm.

Banka Botërore zbulon se 23% e të rinjve në Ballkanin Perëndimor, të moshës 16-24 vjeç, nuk studiojnë, nuk kanë punë dhe nuk ndjekin trajnime. Kështu ata ndihen të përjashtuar nga zhvillimet shoqërore. Shtuar kësaj edhe rritjen e konsiderueshme të përdorimit të internetit deri në 80% në rajon (50% e përdoruesve të moshës 18-34 vjeç), të rinjtë janë terren pjellor për përhapjen e së vertetës, por edhe lajmeve të rreme, me këtë të që fundit  mund të jetë dhjetë herë më e besueshme se e vërteta”, tha Amer Kapetanoviç, Shefi i Departamentit Politik në Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC), në dialogun e mbajtur sot në Tiranë me studentë nga i gjithë Ballkani Perëndimor.

“Të gjithë segmentet e shoqërisë duhet t’iu japin të rinjve një mundësi për të fituar njohuri dhe aftësi, përqafuar qëndrime të përshtatshme dhe vlera pozitive shoqërore, në mënyrë që t’i rezistojnë ndikimit negativ dhe propagandës së ekstremistëve të dhunshëm dhe grupeve të radikalizuara. Parandalimi dhe zbulimi i hershëm i faktorëve të rrezikut janë detyra kryesore të institucioneve arsimore, të cilat janë të pozicionuara mirë për të zbuluar ndryshimet e sjelljes dhe të veprojnë si një mekanizëm mbrojtës”, shtoi ai.

Takimi mblodhi më shumë se 30 studentë nga Ballkani Perëndimor, pesë prej të cilëve nga Fakulteti i Edukimit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës. Në të morën pjesë moderatorë dhe ligjërues nga sfera të ndryshme të jetës, nga rajoni dhe më gjerë, të cilët folën për temën e gjerë të ndikimit të të rinjve nga fryma ekstremiste, për të drejtat e tyre dhe mundësitë për angazhim shoqëror.

Për Xhuljana Zajën, një nga pjesëmarrëset nga UAMD “seminari ishte krejt i veçantë për vetë faktin që çdonjëri nga të rinjtë e pranishëm ishte ndryshe nga tjetri, duke filluar nga prejardhja”. “Ishte hera e parë për mua të qëndroja aq gjatë me studentë nga Serbia dhe Maqedonia e Veriut dhe të mësoja aq shumë gjëra nga ata.  Folëm për ekstremizmin e dhunshëm, shkaqet dhe si mund ta luftonim këtë fenomen duke filluar nga vetë ne. Ndryshimi  vjen duke zhvilluar sa më shumë mendimin kritik për të parë më në brendësi të gjërave”, u shpreh ajo.

Diskutimi u pasua nga aktivitete simuluese në mënyrë që të rinjtë të kuptonin më mirë sesi mund të zhvillohen situata potencialisht të rrezikshme gjatë procesit të radikalizmit, por edhe të eksploronin zgjidhjet që ata vetë propozonin.

Ky dialog komunitar me të rinjtë u organizua nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në bashkëpunim me Qendrën Shqiptare të Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.