COVID-19/ Mesazh i Rektorit të UAMD-së për studentët dhe stafin


“Edhe nata më e errët do të mbarojë dhe dielli do të lindë sërish”.
Viktor Hygo

Të dashur studentë, pedagogë dhe anëtarë të stafit administrativ të Universitetit “Aleksandër Moisiu”,

Në mes të një situate shumë delikate për shkak të përhapjes së koronavirusit (COVID-19), si dhe duke njohur ankthin, shqetësimin dhe pështjellimin rreth javëve dhe muajve që do të vijnë, dëshirojmë t’ju bëjmë me dije që:

  • Universiteti “Aleksandër Moisiu” po monitoron nga afër kërcënimin e COVID-19 dhe i është bashkuar masave të qeverisë për mospërhapjen e virusit, duke ndërprerë procesin mësimor dhe anulluar të gjitha aktivitetet ekstra-kurrikulare deri në datën 23 mars.
  • Rektorati i Universitetit është në kontakt të vazhdueshëm me ekspertë të shëndetësisë dhe po i kushton vëmendje çdo zhvillimi në lidhje me koronavirusin për të marrë vendime të drejta dhe të përgjegjshme në lidhje me praktikat dhe veprimtaritë akademike.
  • Është shumë e rëndësishme që të merrni informacionet dhe këshillat e duhura për COVID-19. Ndaj në uebfaqen tonë zyrtare (www.uamd.edu.al) kemi publikuar përgjigje për pyetjet që iu bëhen më së shumti bluzave të bardha dhe profesionistëve të Shëndetit Publik.

Të dashur studentë,

Jemi të ndërgjegjshëm që është e vështirë të ndryshoni përditshmërinë tuaj. Por nisur nga përhapja e COVID-19, për të mirën tonë, të familjarëve tanë dhe të mbarë vendit duhet të heqim dorë nga aktivitetet ditore. Ky është një moment ku secili nga ne duhet të marrë përgjegjësi, sepse me veprimet tona mund të mbrojmë veten dhe të tjerët nga përhapja e koronavirusit të ri.

Të dashur studentë,

Megjithëse fizikisht gjendemi larg, jemi të sigurtë që duke mbështetur njëri-tjetrin ne do t’ia dalim. Ju ftoj edhe njëherë të veprojmë me mençuri dhe altruizëm, dy cilësi që karakterizojnë komunitetin e UAMD-së dhe atë durrsak.

Ju rikujtojmë që për çdo të re të ndiqni uebfaqen dhe rrjetet tona sociale.

Bashkë mundemi! Bashkë do t’ia dalim!

#UnëQëndrojNëShtëpi