Gëzuar Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit!


Nëse janë të shtypur ose elektronikë, kjo pak rëndësi ka. Librat janë miqtë tanë më të mirë, këshilltarët më të gjindshëm dhe më të mençur, mësuesit më të durueshëm.

Sot më shumë se kurrë kemi gjithë kohën e nevojshme për të qenë pranë atyre që nuk na kanë lënë kurrë në baltë, që na bëjnë të harrojmë telashet e së tashmes atëherë kur duhet, qoftë edhe për pak kohë.

Janë 1000 mënyra, arsye dhe zgjedhje për të lexuar. JSTOR dhuroi këto ditë krize të COVID-19 një paketë me libra elektronikë dhe një me revista: https://about.jstor.org/oa-and-free/

Por nëse lodheni nga libri shkencor, klikoni në http://shakespeare.mit.edu për të shfletuar librat e Shekspirit.

Lë ta përdorim leximin si një terapi që lehtëson dhe shqetësimet më të vogla, si një ushtrim mendor që stimulon trurin dhe e mban atë produktiv. Njerëzit që lexojnë jo vetëm janë më të ditur, por edhe më të mirë. Duke lexuar shohim veten, dhe duke parë brenda saj arrijmë të njohim më mire të tjerët dhe të falim më shumë dashuri.

Por leximi është i rëndësishëm dhe për formimin e personalitetit, për të fituar qetësinë shpitërore dhe mendore, për pasurimin e fjalorit dhe hapjen e horizonteve të reja.

Libri, ky instrumenti më i fuqishëm i transmetimit të dijes, është një mjet që kalon kufijtë pa patur nevojë për pasaportë duke ndikuar në tolerancën, paqen dhe dialogun reciprok midis njerëzve dhe kombeve.

Gëzuar Ditën Botërore të Librit dhe të së Drejtës së Autorit!

Biblioteka UAMD