Studentët rikthehen në auditorë


Rektorja e UAMD-së, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, ishte sot e ftuar në emisionin e mëngjesit në Televizionin A2 si dhe dha disa intervista për mediat.

Pjesë nga deklarata e saj:

“Me të gjitha protokollet për ruajtjen e studentëve dhe stafit nga COVID-19 në zbatim, mirëpresim sot në auditorë 2170 studentë. Ky numër përbën grupin e studentëve që pret të diplomohet në përfundim të këtij semestri.

Studentët janë informuar përmes kanaleve zyrtare të komunikinit si për orarin, ashtu edhe për sallat ku do të zhvillojnë përsëritjen e programeve mësimore.

Seksionet e studentëve janë ndarë në grupe më të vogla, me qëllim që në auditorë të garantohet distanca e nevojshme. Nga ana tjetër, në përfundim të çdo ore mësimi, sallat dezinfektohen.

Orari është hartuar në mënyrë të atillë, që çdo auditor, pas daljes së një grupi studentësh, të ketë kohën e mjaftueshme për t’u dezinfektuar para se të hyjë grupi tjetër i studentëve.

Njëkohësisht, studentët janë ndarë në godinat respektive: 954 dhe 416 studentë në dy godinat e kampusit të ri në Spitallë dhe 800 studentë në godinën në Currila. Kjo do të bëjë që ata të mos krijojnë grumbullime të panevojshme.

Siç tregoi edhe rasti i tërmetit të nëntorit, UAMD ka reaguar shpejt ndaj situatave të krizave dhe iu është gjendur pranë studentëve”.