Mesazh në Ditën Ndërkombëtare të Detarëve


Nga Laboratori i Navigacionit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, ku mësojmë dhe përgatisim brezat e rinj të detarëve, i bashkohemi sot, në Ditën Ndërkombëtare të Detarëve, zërit të Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), për të shprehur respektin dhe mirënjohjen ndaj detarëve shqiptarë që lundrojnë në dete dhe oqeane, dhe miliona punonjësve të sektorit detar në të gjithë botën për kontributin e tyre të pazëvendësueshëm në mbajtjen gjallë të zinxhirit ndërkombëtar të furnizimit, mbarëvajtjen e ekonomisë botërore, veçanërisht përgjatë krizës së shkaktuar nga COVID-19.
 
Përmes këtij videomesazhi dëshiroj të falenderoj për bashkëpunimin e ngushtë partnerët tanë ndërkombëtarë: Universitetin Norvegjez për Shkencë dhe Teknologji – NTNU, Akademinë Navale të Rigës në Letoni, Universitetin e Egjeut, si dhe partnerët lokalë si Drejtoria e Përgjithshme Detare, Autoriteti Portual Durres, Adria Ferries dhe kompani të tjera.
 
Prej dy vitesh, Universiteti “Aleksandër Moisiu” është krenar të jetë anëtar aktiv i një konsorciumi të vyer për zbatimin e projektit ALMARS – Ngritja e kapaciteteve për Rritjen e Kaltër dhe Zhvillimin e Kurrikulumit të Peshkimit Detar në Shqipëri, projekt që drejtohet me profesionalizëm nga Universiteti i Splitit në Kroaci.
 
Përmes këtij bashkëpunimi ne synojmë të fuqizojmë detarinë në Shqipëri, akuakulturën tonë, por edhe kapacitetet infrastrukturore, në mënyrë, që nesër studentët tanë të jenë detarë të zotë. Mendoj se përmes përgatitjes së brezit të ri të detarëve ne respektojmë më së miri sakrificat e mëdha të të gjithë punonjësve në fushën e detarisë.
 
Faleminderit dhe Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Detarëve!
Prof. As. Dr. Osman Metalla
Dekan i Fakultetit të Studimeve Profesionale
https://www.youtube.com/watch?v=4wna2hHmSGM