Revista Eurofish: Peshkatarët shqiptarë së shpejti mund të fitojnë kualifikime ndërkombëtare në Shqipëri


Një projekt bashkëpunimi me partnerë nga Shqipëria dhe Kroacia synon të përmirësojë aftësitë e peshkatarëve duke zhvilluar një diplomë Master në Peshkimin Detar dhe duke përmirësuar aftësimin profesional për t’iu siguruar atyre aftësi të njohura ndërkombëtarisht.

Rritje e madhe në sektorin e peshkimit

Peshkimi ka qenë një nga sektorët me rritje të shpejtë në vitet e fundit, kryesisht për shkak të politikave për subvencione që qeveria shqiptare ka zbatuar kohët e fundit dhe kërkesës në rritje nga industria e përpunimit të peshkut. Sidoqoftë, rritja e vazhdueshme e sektorit pengohet nga një hendek në burimet njerëzore. Në Shqipëri, përveç shkollës së mesme të peshkimit, të themeluar në Durrës në  vitin 2003, nuk ka institucione të tjera trajnimi për të përmbushur nevojat e sektorit për personel të kualifikuar. Njohuria dhe përvoja e kufizuar e peshkatarëve në përdorimin e praktikave dhe teknologjisë moderne është një nga pengesat kryesore për zhvillimin e sektorit shqiptar të peshkimit. Për më tepër, në sektorët e  Rritjes së Kaltër (akuakultura, peshkimi dhe lundrimi) nuk është bërë asnjë përpjekje për të ofruar trainim profesional arsimor ose krijimin e Institucioneve të Arsimit të Lartë.

Projekti ALMARS do t’i përgjigjet kërkesës për aftësimin personel në industrinë tregtare në rritje të peshkimit në Shqipëri duke prezantuar një program profesional master në fushën e peshkimit detar. Kurrikula e re e këtij masteri do të zhvillohet nga ekspertë shkencorë nga fushat e biologjisë detare, akuakulturës dhe peshkimit në bashkëpunim me palët e interesuara të industrisë detare.  Kurrikula do t’iu sigurojë studentëve njohuri teorike dhe aftësi praktike, të cilat pritet të kenë një ndikim pozitiv në punësimin e tyre. Aktivitete të tjera janë planifikuar gjithashtu si pjesë e projektit, për shembull, krijimi i një platforme rrjetëzimi, e cila do të bashkojë palët e interesuara aktive në fushën e peshkimit detar, përfshirë institucionet arsimore dhe studentët e tyre, industrinë private dhe organizatat.  Platforma do t’iu ofrojë palëve të interesuara mundësi për bashkëpunime të reja, shkëmbim të njohurive, qasje në informacionet më të fundit të tregut, tendencat në sektor, staf të kualifikuar dhe / ose mundësi punësimi.

Një gamë e gjerë e palëve të interesuara do të kontribuojnë në projekt

Ky projekt bashkëpunimi përbëhet nga aktorë të ndryshëm që po kontribuojnë në mënyrë aktive në industrinë e peshkimit detar. Partnerët lokalë variojnë nga universitetet, të cilat ofrojnë tashmë programe studimi të lidhura me detarinë, bizneset kryesore në industrinë e peshkimit, deri në Drejtorinë e Peshkimit dhe Akuakulturës në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, autoriteti më i lartë i sektorit të peshkimit.  Përfshirja e një larmie të tillë të palëve të interesuara do të sigurojë cilësinë e rezultateve të projektit dhe qëndrueshmërinë e tij.

Projekti ka nëntë partnerë: Universiteti i Splitit në Kroaci (koordinator i projektit), Universiteti Bujqësor i Tiranës, Universiteti i Vlorës “Ismail Qemali”, Universiteti “Aleksandër Moisiu” i Durrësit, Politekniku në Marche, Itali, Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Tiranë, AlbAdriatico2013  Ltd, Albamar dhe EUROFISH.

Hapi i parë i projektit ishte një analizë e gjendjes aktuale të industrisë së peshkimit në Shqipëri.  Kjo siguroi një përmbledhje të detajuar të mundësive ekzistuese në lidhje me edukimin dhe burimet ekzistuese në Shqipëri dhe një raporto mbi strukturën e industrisë së peshkimit, numrin e palëve të interesuara dhe nevojat e tyre në lidhje me burimet njerëzore.  Kjo analizë iu dha partnerëve një pasqyrë që u përdorën në fazën tjetër të projektit, i cili ishte zhvillimi i një kurrikule për programin Master në peshkimin detar.  Pas hartimit të një programi mësimor bazuar në përvojën e Universitetit të Splitit, i cili organizon kurse universitare dhe doktorature në peshkimin detar, dhe nën kompetencat e tre universiteteve shqiptare, kurrikula u miratua nga departamentet, fakultetet, si dhe senatet e tre  universiteteve.  Projekti parashikon udhëtime studimore për pjesëmarrësit shqiptarë në Itali dhe Danimarkë në vitin 2020, por deri më tani,  ato janë shtyrë për shkak të situatës aktuale me koronavirusin.

*Artikullin origjinal e gjeni këtu (faqet 44-45): https://issuu.com/eurofish/docs/eurofish_magazine_3_2020