Kseanela Sotirofski rizgjidhet Rektor i Universitetit “Aleksandër Moisiu”


Në Zgjedhjet për autoritetet dhe organet drejtuese të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD) për periudhën 2020-2024, stafi akademik dhe studentët rizgjodhën në postin e Rektorit Prof. Dr. Kseanela Sotirofskin.

Shtyllat e platformës së saj ishin pjesëmarrja më e gjerë dhe e drejtpërdrejtë në proceset e vendimmarrjes; përditësimi i vazhdueshëm i programit të transparencës me përfshirjen e stafit dhe studentëve; fuqizimi i studentëve për të promovuar ndryshime pozitive në komunitet; ndërkombëtarizimi i universitetit dhe qëmtimi i mënyrave të reja të financimit të kërkimit shkencor.

“Vlerësoj maksimalisht besimin që m’u dha. Në këtë mandat do të fuqizojmë studentët, do të mbështesim stafin akademik dhe do ta bëjmë UAMD-në një universitet me peshë në rajon”, u shpreh shkurt pas rizgjedhjes znj. Sotirofski.

Rektori është autoriteti më i lartë akademik i universitetit, si dhe përfaqësuesi ligjor i tij për çështjet akademike dhe protokollare. Funksionet e tij kryesore, të përcaktuara në Statutin e Universitetit janë: drejtimi i Senatit Akademik, hartimi i planit strategjik të zhvillimit të institucionit, nënshkrimi i marrëveshjeve me karakter akademik, etj.  Roli i rektorit është i rëndësishëm edhe për zgjidhjen e çështjeve mes organeve dhe drejtuesve të njësive të universitetit.

Prof. Dr. Kseanela Sotirofski është angazhuar në UAMD që në themelimin e tij, ndërsa në mandatin e saj të parë si Rektor e ka shndërruar atë në universitetin me rritjen më të shpejtë në vend. Znj. Sotirofski ka mbajtur pozicione të ndryshme si Përgjegjëse Departamenti, Dekane, dhe që nga viti 2016, Rektore e UAMD-së. Fusha e saj e ekspertizës lidhet ngushtë me menaxhimin dhe mbikëqyrjen në institucionet e arsimit të lartë.  Ajo ka mbajtur ligjërata në Spanjë, Hungari, Itali, Turqi, etj.

* * *

Universiteti “Aleksandër Moisiu” (UAMD) çeli dyert për herë të parë në vitin akademik 2006-2007 dhe në thelb të veprimtarisë së tij ka përballimin e sfidave të së ardhmes bazuar në themelet e shërbimit dhe dashurisë për vendin. Falë përkushtimit e vendosmërisë të drejtuesve dhe stafit, komunitetit dhe bashkëpunëtorëve, UAMD është sot universiteti i dytë më i madh në vend.  Përballja me sfidat e arsimit dhe shoqërisë dhe ofrimi i një arsimi cilësor dhe konkurrues në shkallë ndërkombëtare janë objektiva madhorë të universitetit. UAMD synon të realizojë kërkim shkencor inovativ dhe në të njëjtën kohë të kultovojë individë me dije dhe guxim për të konkurruar denjësisht në tregun e punës. UAMD punon për krijimin e një sistemi të qëndrueshëm arsimor që përgatit profesionistë me mendësi të re, që karakterizohen nga ndjeshmëria për fatet e vendit dhe bëhen udhëheqës të ndryshimit.

Vendimet e KIZ-it

Vendim nr.17, date 30.07.2020 KIZ

Vendim nr.18, date 30.07.2020 KIZ