UAMD diploma të dyfishta me Universitetin Cote D’azur në Francë


Më datë 4 gusht 2020, Ambasadorja Franceze në Shqipëri SH. S. Znj. Christina Vasak dhe Atasheu i Bashkëpunimit për Gjuhën frënge Z. Paul Souligoux vizituan Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD).
 
Znj. Ambasadore dha sihariqin e nënshkrimit së marrëveshjen për lëshimin e diplomave të dyfishta Master në Administrim Publik mes UAMD-së dhe Universitetit Côte d’Azur. Kjo është marrëveshja e parë në këtë lëmë mes universiteteve shqiptare dhe atyre franceze dhe tashmë tradita e madhe franceze në çështjet e administrimit publik do të përcillet edhe në UAMD.
 
“Urime për këtë marrëveshje, që pa punën tuaj të shkëlqyer si ekip nuk do të ishte e mundur. Gëzohem për rizgjedhjen tuaj si Rektor dhe uroj që aktivitetet mes dy institucioneve tona të shumëfishohen”, u shpreh ambasadorja Vasak.
 
Znj. Rektore, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, falenderoi ambasadoren për lajmin e mirë dhe bëri një prezantim të projekteve ku UAMD është përfshirë si anëtar i Agjencisë Universitare të Frankofonisë (AUF).
 
“Prej dhjetorit të vitit 2018 jemi anëtarë të Agjencisë Universitare të Frankofonisë ku bëjnë pjesë universitete dhe institute kërkimore nga 111 vende të ndryshme. Së fundmi kemi përfituar bursa studimi në të tre ciklet në universitetet frakofone”, nënvizoi ndër të tjera ajo.
 
Në kuadër të fondit të solidaritetit të ambasadës, znj. Ambasadore i dhuroi UAMD-së 500 maska mbrojtëse për studentët.
 
Takimi vijoi me diskutime mbi mundësi konkrete bashkëpunimi me Ambasadën Franceze, si dhe me institucione homologe në Francë.