UAMD dhe Shkolla e Drejtorëve takim mbi trajnimin për drejtorë në rrethin e Durrësit


Ditën e sotme, Dekani i Fakultetit të Edukimit, Prof. As. Dr. Griselda Abazaj dhe Administratori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës, z. Gerald Çeka pritën në një takim Drejtorin Ekzekutiv të Shkollës së Drejtorëve z.Geron Kamberi dhe menaxheren e Projektit për trajnim, znj. Brikena Kazazi.

Fakulteti i Edukimit është shpallur fitues i projektit për trajnimin e detyrueshëm përgatitor për drejtues të institucioneve arsimore të arsimit parauniversitar dhe Fakulteti i Edukimit do të trajnojë drejtorët dhe aspirantët për drejtorë për rrethin e Durrësit. Në këtë takim dekania Prof.Asoc.Dr.Griselda Abazaj në emër të stafit të Fakultetit të Edukimit falënderoi Shkollën e Drejtorëve për mundësinë e përfshirjes dhe bashkëpunimit në ketë projekt të rëndësishëm. Në takim u diskutua mbi përgatitjet për programin e trajnimit që do të nisë më datë 16 tetor ne ambientet e Fakultetit.

Fakulteti i Edukimit përpiqet gjithmonë të jetësojë ide dhe projekte, të cilat ndihmojnë studentët në zhvillimin e njohurive, aftësive dhe dispozitave të nevojshme për t’u bërë mësues të zotë dhe të vëmendshëm ndaj risive në një shoqëri që është gjithnjë në ndryshim.