UAMD ceremoni virtuale dipmomimi, jehonë dijes nga Amfiteatri i Durrësit


1600 studentë të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, së toku me familjet dhe miqtë e tyre në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, ndoqën një ceremoni të veçantë diplomimi, një ngjarje krejtësisht virtuale, kushtëzuar nga përhapja e pandemisë COVID-19.

“Shumë gjëra kemi kaluar së bashku vitin akademik që lamë pas. Në fillim u përballëm me tërmetin që goditi qytetin, mandej pandeminë COVID-19. Por pavarësisht gjithçkaje ky vit do të mbesë në kujtesë për ju dhe ne i mbushur me mbresa dhe ngjarje, miqësi dhe unitet, kurajë për të tejkaluar vëshirësitë”, u shpreh rektorja Sotirofski në fjalën e saj për studentët.

Ceremonia u organizua në nder të arritjeve akademike të studentëve, por edhe për të ngritur moralin e tyre në kohë të tilla ankthi e pasigurie. E ftuar nderi e ceremonisë së diplomimit ishte znj. Majlinda Bregu, Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, ndërsa Shoqatën Alumni të Universitetit e përfaqësonte z. Hasim Deari, zv. Dekan i Fakultetit Ekonomik në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Ata përcollën mesazhe shprese dhe frymëzimi për të sapo diplomuarit.

“Për shkak të pandemisë brezit tuaj nuk mund t’i organizonim një ceremoni të mirëfilltë diplomimi, por qëndresa juaj gjatë këtyre muajve tejet sfidues nuk mund të kalohej pa duartroktijet tona. Ju do të jeni inovatorët, sipërmarrësit, juristët, ekonomistët, infermierët dhe shkencëtarët tanë të së ardhmes. Shqipëria është e juaja dhe unë mezi pres të shoh sesa të bukur e të zhvilluar do ta ndërtoni atë”, u shpreh Sotirofski.

Duke ditur që diplomimi është ëndërr e çdo studenti, Renaldo, i diplomuar në Fakultetin e Teknologjisë së Informacionit u shpreh se mungesa e një ceremonie të mirëfilltë në fillim ishte zhgënjyese.

“Por organizimi i kësaj ceremonie virtuale më gëzoi dhe më bëri të ndjehem krenar që i përkas këtij unversiteti dhe qyteti të bukur. Tani shpresoj të mundem të jap më të mirën në profesion”, u shpreh ai.

“Këto ditë të vështira të pandemisë, janë gjithashtu mundësi të pashembullta për t’u përshtatur dhe zhvilluar. UAMD synon që të nxisë inovacionin. Kjo ceremoni virtuale diplomimi, e para e këtij lloji në vend, është shembull i kësaj qasjeje. Ju uroj diplomantëve suksese dhe shpresoj t’ju jepet mundësia ta tregojnë veten sepse ata e kanë kapacitetin për të dhënë dhe bërë Shqipërinë një vend më të mirë për të gjithë ne”, u shpreh për ceremoninë Xhafer Rakipllari, Drejtori i Administrimit dhe Shërbimeve Akademike.

Mesazhin e saj kjo ceremoni e dha edhe përmes detajeve. Ajo u organizua në Amfiteatrin Antik të Durrësit për të treguar trashëgiminë e jashtëzakonshme të këtij qyteti, dhe iu kushtua studentëve që me vullnetarizimin e tyre gjatë tërmetit u shndërruar në shembuj shprese dhe rimëkëmbjeje për vendin.

Link i ceremonisë: https://www.youtube.com/watch?v=T8Eh6OX2Bw0&ab_channel=UAMDTV