UAMD, prezantohen bursat Chevening për studime pasuniversitare në Britaninë e Madhe


Jason Ivory, zv. Ambasador i Britanisë së Madhe në Shqipëri dhe Deni Sanxhaku, Koordinatore e Programit të Bursave Chevening, ishin sot të pranishëm në ambientet e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës për prezantimin e bursave për studime pasuniversitare në Britani.

Para se të merrte pjesë në aktivitet z. Ivory pati një takim me rektorin Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, ku diskutuan mbi rritjen cilësore të universitetit, bursat e ofruara nga qeveria britanike si dhe mundësitë e bashkëpunimit.

Në fjalën që mbajti në takimin me studentët, z. Ivory tha se Ambasada Britanike për herë të parë po promovon Bursat Chevening në mbarë Shqipërinë. “Chevening është oferta akademike më e mirë në botë. Ajo mbulon të gjitha shpenzimet dhe ofron një gamë të gjerë programesh studimi. Potenciali që kemi parë në Shqipëri është i madh dhe besojmë se me forcimin e kapaciteteve në Britani, bursantët do të japin kontribut domethënës në zhvillimin e vendit tuaj. Përpos studimit në një universitet të Britanisë së Madhe, bursa të jep mundësinë e njohjes së jetës dhe kulturës vendase”, u shpreh ai duke inkurajuar studentët të aplikojnë.

Deni Sanxhaku, Koordinatore e Programit Chevening, i njohu të pranishmit me mënyrën e aplikimit, si dhe iu përgjigj pyetjeve të tyre mbi kriteret e pranimit, kohëzgjatjen e studimeve, dhe çështje të tjera.

Në takim mori pjesë edhe Altin Gjeta, lektor me kohë të pjesshme në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike në UAMD dhe bursant i Chevening. Ai ndau përvojën e tij studimore në Universitetin Westminster dhe vuri theksin në ndryshimin rrënjësor të jetës për të gjithë ata që ndjekin këtë program.

Në fund, Xhafer Rakipllari, në cilësinë e Drejtorit të Administrimit dhe Shërbimeve Akademike në UAMD, iu premtoi studentëve ndihmën e Zyrës së Karrierës gjatë procesit të aplikimit për bursat Chevening.