UAMD pjesë e Rrjetit të Infrastrukturave të Hapura të Kërkimit në Ballkanin Perëndimor


Më datë 21 dhjetor 2020, u mbajt takimi virtual i konstituimit të Rrjetit për Akses të Hapur të Infrastrukturës Kërkimore Shkencore në Ballkanin Perëndimor, ku Universiteti “Aleksandër Moisiu” tashmë është pjesë duke u renditur mes universiteteve të tjera nga vendet e Ballkanit Perëndimor si Bosnjë Hercegovina, Republika e Maqedonisë së Veriut, Kosova, Mali i Zi dhe Serbia. Ky rrjet, do të shërbejë për të ofruar akses të hapur palëve të treta ndaj infrastrukturës kërkimore shkencore dhe do të forcojë marrëdhëniet mes institucioneve të arsimit të lartë në Rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kjo nismë është ndërmarrë nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (Regional Cooperation Council RCC), për të sjellë së bashku dhë për të mundësuar aksesin e kërkimit shkencor ndaj palëve të treta. Pas një punë një vjeçare, në institucion, iniciativa kurorëzohet me antarësinë në këtë rrjet. Rrjeti do të vijojë të funksionojë edhe në vitet në vijim, së bashku me strukturat mbështetëse dhe planin e veprimit.

Në vitin 2020, Sekretariati i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC) ndërmori nismën e një programi mbështetës për Akses të Hapur të Infrastrukturës Kërkimore në Ballkanin Perëndimor, për të ndihmuar zhvillimin e infrastrukturave kërkimore në rajon, në kuadër të Planit Shumëvjeçar të Veprimit, për një Zonë Ekonomike Rajonale (Multi-annual Action Plan for a Regional Economic Area (MAP REA) të miratuar në Samitin e Udhëheqësisë, Korrik 2017, në Trieste.

Ky program i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), u krijua për të kontribuar jo vetëm në zhvillimin e praktikave për akses të hapur ndaj kërkimit shkencor në institucionet e arsimit të lartë dhe organizatat kërkimore në rajon, por hodhi themelin për krijimin e Rrjetit të Infrastrukturave të Hapura të Kërkimit në Ballkanin Perëndimor, për të cilin RCC është pioniere në rajon. Zhvillimi i këtyre politikave është një pjesë thelbësore për infrastrukturat kërkimore që funksionojnë mirë në institucionet e arsimit të lartë. Puna për zhvillimin e tyre është planifikuar të zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me menaxhimin, administratën dhe stafin kërkimor të infrastrukturave të përzgjedhura të kërkimit shkencor.

Suksese UAMD-së!