Studentë të UAMD-së trajnim dyditor nga Balkan Voices


Një grup studentësh të përzgjedhur të Marrëdhënieve me Publikun, pranë Fakultetit të Shkencave Politike-Juridike morën pjesë në programin trainues, “Masterklasa: Trajtimi i lajmeve të rreme dhe dezinformimi”. Ky është një program trainues i Balkan Voices (https://cfi.fr/en/project/balkans-voices), projekt rajonal i Agjencisë Franceze për Zhvillimin Mediatik, i mbështetur nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Francës.

Projekti do të shtrihet në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, ku Shqipëria ishte ndalesa e parë. Balkan Voices / CFI nisën kështu një bashkëpunim në këtë fushë me Universitetin “Aleksandër Moisiu”.

Ky modul u zhvillua dhe moderua nga Dr. Alban Tartari, Ekspert i Komunikimit, pedagog dhe kërkues shkencor pranë Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit, Universiteti i Tiranës. Qëllimi i modulit ishte të sjellë qasje të reja lidhur me përpjekjet kundër lajmeve të rreme (fake news), dezinformimit duke u fokusuar tek dijet informative dhe mediatike (media and information literacy), aq të nevojshme sot jo vetëm për studentët e fushës së komunikimit, gazetarisë dhe marrëdhënieve publike, por për të gjitha shoqërinë tonë.

Konkretisht në trainim dyditor u qëndrua mbi module si impakti i teknologjisë në komunikimet publike, përballja mes mediave tradicionale dhe të reja dhe nevoja e kurrikulave shkollore për dijet mediatike dhe informacionin. Në ditën e dytë u qëndrua mbi rrugët e mënyrat për të luftuar dezinformimin, duke u fokusuar konkretisht tek kontrolli i përhershëm i fakteve (fact checking) dhe burimet e informacionit.

Studentët që e ndoqën këtë masterklasë, do të pajisen me një certifikatë nga Balkan Voices / CFI në përfundim të modulit dhe synohet që ata të jenë pjesë e një rrjeti rajonal në këtë fushë. Në pamundësi të organizimit fizik të masterklasës në auditoret e UAMD (si pasojë e masave mbrojtëse kundër Covid-19), ky modul u zhvillua përmes platformës virtuale Google Classroom.

Balkan Voices / CFI janë angazhuar në Ballkanin përendimor në projekte që synojnë zhvillimin e mendimit kritik tek të rinjtë përmes trainimeve lidhur me median, informacionin, etj. Një synim i qartë është zhvillimi i dijeve mediatike tek të rinjtë e rajonit tonë, në shkollat e mesme, universitetet dhe konkretisht të shkollat e komunikimit.