Ditët e Informimit të Maturantëve


Universiteti “Aleksandër Moisiu” ka mbyllur sot takimet virtuale me maturantët në kuadër të Ditëve të Informimit. Për dy javë me radhë, me tre seanca ditore, Zyra e Karrierës i njohu maturantët jo vetëm me programet e studimit në UAMD, por edhe i këshilloi ata mbi degët më të kërkuara në tregun e punës sot në Shqipëri, si dhe iu përgjigj pyetjeve apo mëdyshjeve të tyre mbi profilin e studimeve që duhet të zgjedhin.

Gjatë këtyre takimeve, u evidentuan avantazhet e të studiuarit në UAMD si: stafi akademik i kualifikuar  në universitetet më të mira perëndimore, akreditimi dhe njohja ndërkombëtare, bursat e shumta Erasmus + për studentët, Kampus Universitar dhe laboratoret modernë,  biblioteka universitare me burimet e shumta fizike dhe digjitale, klubet dhe jeta studentore, etj.

Maturantët u njohën me Guidën e Maturantit, Udhëzuesin e Karrierës, si dhe me planin e mëtejshëm të aktiviteteve informuese të UAMD-së. Zyra e Karrierës do të vijojë informimin e maturantëve përmes materialeve multimediale për të gjithë Departamentet, si dhe përmes Ditëve të Hapura Virtuale, ku maturantët do të kenë një hapësirë të përjavshme informimi dhe këshillimi, derisa të kenë bërë zgjedhjen e tyre përfundimtare.