Projektet e financuara nga Bashkimi Europian, Ambasadori Soreca viziton UAMD-në


Të enjten, më datë 1 prill, Universiteti “Aleksandër Moisiu” në Durrës (UAMD) mirëpriti Ambasadorin e Delegacionit të BE-së në Tiranë, SHTZ Luigi Soreca. Ai u informua mbi projektet e financuara nga Bashkimi Europian në UAMD, si dhe vizitoi laboratorin e Multimedias të ndërtuar në kuadër të projektit “Zhvillimi dhe zbatimi i kurrikulës së Multimedias dhe TV Digjital”.
Z. Soreca zhvilloi një takim me Rektoren e UAMD-së, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski dhe anëtarë të stafit akademik, ku u diskutua për projektet që po zbaton universiteti dhe qëmtimin e mundësive për ndërkombëtarizimin e mëtejshëm të tij.
Gjatë vizitës në Laboratorin e Multimedias, z. Soreca bisedoi me studentët për kurrikulën europiane të këtij programi, trajnimet që kanë marrë në kuadër të tij, si dhe përvojat studimore në universitetet e vendeve të BE-së.
Që nga themelimi i tij 15 vite më parë, UAMD ka marrë pjesë në 25 projekte të financuara nga BE-ja, 13 prej të cilave janë duke gjetur zbatim në këto momente. Universiteti është lider në dy prej tyre: “Përshpejtimi i Modernizimit të Universiteteve në Ballkanin Perëndimor duke përfshirë Teknologjitë Virtuale (VTech)” dhe “Zhvillimi dhe implementimi i kurrikulës Multimedia dhe TV Digjitale (DIMTV)”.
UAMD ka marrëveshje për shkëmbimin e stafit dhe studentëve me 34 universitete në: Itali, Gjermani, Francë, Britaninë e Madhe, Suedi, Spanjë, Portugali, etj., si dhe është anëtar në disa rrjete europiane si:
• Shoqata e Universiteteve Evropiane (EUA)
• Unioni i Universiteteve Mesdhetare (UNIMED)
• Shoqata e Universiteteve Frankofone (AUF)
• Programi i Shkëmbimit të Evropës Qendrore për Studime Universitare (CEEPUS)
• Shoqata e Universiteteve Ballkanike (BUA)
• Infrastruktura Kërkimore (OARI) e krijuar nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal (RCC)
• Fondacioni Anna Lindh (ALF)