Konferenca Studentore e Fakultetit të Biznesit, promovohet kërkimi shkencor nga të rinjtë


Studentët e Fakultetit të Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit kanë shtuar zërin e tyre në morinë e alternativave për nxitjen e biznesit dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Teksa kanë organizuar edicionin e njëmbëdhjetë të konferencës studentore, ata janë përpjekur të bëhen pjesë e debatit shkencor për të ardhmen dhe prosperitetin e shoqërisë ku të gjithë jetojmë.

Stelina Dervishi, koordinatore e Konferencës XI Studentore të Fakultetit të Biznesit në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, nënvizon se “punimet ishin mjaft të debatuara dhe frytdhënëse.” Ajo shton se pandemia e COVID-19 solli vështirësi për realizimin e konferencës, por ato u tejkaluan nga studentët.

Konferenca XI Studentore e Fakultetit të Biznesit i zhvilloi punimet më 10 qershor dhe në dy sesionet e saj u prezantuan 32 punime nga 45 autorë e bashkëautorë të ndryshëm, të gjithë studentë. Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, dhe Prof. Asoc. Dr. Shkëlqim Fortuzi, dekani i Fakultetit të Biznesit, përshëndetën hapjen e konferencës, duke iu uruar studentëve suksese në çdo përpjekje të tyre edhe në të ardhmen.

Tema e Konferencës XI Studentore të Fakultetit të Biznesit ishte “Sfidat për zhvillimin e qëndrueshëm të ekonomisë shqiptare dhe perspektivat e saj për integrimin në Bashkimin Evropian” dhe punimet e studentëve preknin çështje shumë aktuale, si: ndikimi i pandemisë së COVID-19 në ekonominë e vendit, prirjet e reja të biznesit, zhvillimet e reja të marketingut, financat publike, etj. Autorët prezantonin gjetjet dhe konkluzionet e punimeve të tyre shkencore, ndërkohë që u përgjigjeshin edhe interesimit të studentëve të tjerë për pyetjet që kishin.

Në përfundim të konferencës, një juri e ngritur për të vlerësuar punimet e studentëve i akordoi bashkëautorëve Bruna Tuzi, Ordiola Saliasi dhe Denisa Vokshi çmimin e kërkimit shkencor më të mirë. Çmimi i prezantimit më të mirë u shkoi bashkëautorëve Arta Demerxhiu dhe Mirsada Gashi, ndërsa çmimi i punimit më të debatuar iu dha Jani Groballit.

Për të vlerësuar kontributin e dhënë për organizimin e konferencës studentore, çmimi i dekanatit të Fakultetit të Biznesit iu akordua Klara Avdylit.