Zhvillohet trajnimi i rradhës i projektit QUADIC


Në datat 7-10 Qershor 2021 në Universitetin Aleksandër Moisiu Durrës u zhvillua trajnimi i rradhës i projektit Erasmus+ “Zhvillimi i Cilësisë për Kooperimin Ndërkombëtar dhe Menaxhimin e Projekteve” QUADIC.

Ky projekt me një konsorcium të përbërë prej 19 partnerësh, ku 14 janë universitete nga Shqipëria dhe Kosova, synon ndërkombëtarizimin e universiteteve si dhe zhvillimin e mëtejshëm të projekteve të Bashkimit Evropian.

Në hapje të këtij trajnimi, përshëndetën Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” Prof. Dr. Kseanela Sotirofski; Rektori i Universitetit leader “Kadri Zeka” në Gjilan, njëkohësisht edhe ish kryeministër i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Barjam Kosumi; Rektori i Universitetit Europian të Tiranes Prof. Dr. Tonin Gjuraj; si dhe Zëvendësministri i Arsimit në Republikën e Kosovës Z. Dukagjin Popovci.

Në fjalën e saj, Rektorja Storirofski theksoi rëndësinë e këtyre projekteve për institucionin tone, i cili që prej themelimit të tij ka synim ndërkombëtarizimin dhe të qënurit një universitet i hapur. Ajo, uroi në fjalën e saj që zbutja e masave të pandemisë e shpresa për normalizimin e gjendjes, na motivojnë për të rifilluar fuqishëm angazhimin tonë të përbashkët në programet e Bashkimit Evropian.

Prof. Kosumi, vuri theksin në objektivat e përbashkëta të dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës për të ecur së bashku në rrugën e Bashkimit Evropian. Sipas tij, këto projekte të përbashkëta e konkretizojnë dhe përshpejtojnë këtë rrugë. Ai i përgëzoi anëtarët e konsorciumit për projektin, i cili pavarësisht pandemisë, po implementohet me sukses, për rezultatet e arritura deri më tani dhe ato që priten në të ardhmen.

Nga ana tjetër, Prof. Tonin Gjuraj, vuri në dukje se projektet e Bashkimit Evropian janë e ardhmja e institucioneve tona. Internacionalizimi, – theksoi prof. Gjuraj – është sfida më e madhe dhe e përbashkët që kemi, e me çdo kusht duhet t’ia dalim mbanë, pasi rrugë kthimi nuk ka.

Gjithashtu Z. Dukagjin Popovci, në ndërhyrjen e tij online, u shpreh se këtë projekt e ka në vemendje pasi e ka ndjekur që në fillim dhe ka pritshmëri të larta prej zbatimit të tij në Kosovë e Shqipëri.

Sipas koodinatores se projketit per UAMD, Dr. Belina Bedini, trajnimi ka për qëllim ka sjellë katër projekt-propozime të reja, të cilat do të ideohen dhe aplikohen nga partnerët e Kosovës dhe Shqipërisë, në bashkëpunim me institucionet partnere evropiane. Në këtë mënyrë do të kemi një proces ndërkombëtarizimi të qëndrueshëm sikurse parashikohet nga projekti QUADIC.