Mbahet në UAMD workshopi për Mbrojtjen dhe Menaxhimin e Mjedisit Detar


UAMD mirëpriti sot partnerë nga Universiti i Malit të Zi, Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë dhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Detarisë për të diskutuar mbi zhvillimin e programit Master të Përbashkët Rajonal në Mbrojtjen dhe Menaxhimin e Mbrojtjes së Mjedisit Detar – MEP & M. I financuar nga programi Erasmus +, ky projekt synon rritjen e kompetencave dhe aftësive të burimeve njerëzore në vendet e Ballkanit Perëndimor në fushën e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Mjedisit Detar.

Nga fjala e Dekanit të Fakultetit të Studimeve Profesionale, Prof. As. Dr. Osman Metalla:

“Mbrojtja e mjedisit detar është e një rëndësie thelbësore për ruajtjen e ekosistemit, ndërsa misioni ynë si Institucione të Arsimit të Lartë është që të jemi në në pararojë të nismave për mbrojtjen e mjedisit. Sot jeta detare kërcënohet nga mbeturinat detare masive dhe ndotjet e tjera të krijuara nga aktivitete të ndryshme dhe është përgjegjësia jonë të studiojmë, hulumtojmë dhe të bashkojmë përpjekjet tona për të ofruar arsimin më të mirë për mbrojtjen e mjedisit detar bazuar në praktikat më të mira të Bashkimit Europian, me qëllim përgatitjen e një brezi të rinjve të diplomuar të pajisur me njohuri dhe teknologji sa më të mira në mënyrë që të dinë se si të ruajnë mjedisin detar.

Qendrat bregdetare, peshkimi, lundrimi dhe aktivitete të tjera janë ndotësit kryesorë të mjedisit detar; prandaj, duhet të jemi të vetëdijshëm për menaxhimin e të gjitha këtyre aktiviteteve në mënyrë të tillë që të mos dëmtojnë mjedisin.

Universitetet, institucionet qeveritare, ndërmarrjet e sektorit të ekonomisë blu dhe OJQ-të duhet të bashkohen në mënyrë që të bashkëpunojnë dhe të krijojnë sinergji në mbrojtjen dhe ruajtjen e mjedisit detar. Vetëm bashkëpunimi dhe rrjetëzimi do t’i bëjë përpjekjet tona më efikase dhe efektive.

Universitetet tona të Durrësit dhe Vlorës janë shumë të kënaqur me fillimin e punës së këtij projekti dhe ne vlerësojmë të gjitha aktivitetet e organizuara deri më tani nga udhëheqësi i projektit tonë, Fakulteti i Detarisë i Kotorrit. Këtë javë kemi pasur dy ngjarje të rëndësishme, trajnimet që u organizuan nga Universiteti i Cadiz dhe Universiteti i Cote Azur. Ato ishin me cilësi të lartë dhe temat e diskutuara me interes të lartë veçanërisht për qëllimin e programit Master të Përbashkët në Mbrojtjen dhe Menaxhimin e Mjedisit Detar”.