“Shqipëria është jona”, studentët e UAMD dhe River CleanUp Albania aksion pastrimi në Kepin e Rodonit


Vullnetarë të Universitetit “Aleksandër Moisiu”, organizatës “River Clean Up Albania” dhe skautistë nga Franca, nën udhëheqjen e Përgjegjëses së Departamentit të Letërsisë Dr. Marisa Kërbizi organizuan një aksion pastrimi në Kepin e Rodonit.

Giselda Plaku, studente e Administrimit Publik, u shpreh se vullnetarët arritën të pastronin një pjesë të mirë të zonës. “Grumbulluam dhjetëra thasë të mbushur me kanaçe dhe polesterol, me plastikë dhe mbeturina të tjera, të cilat me ndihmën e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura Durrës u transportuan në vendin e depozitimit të mbetjeve”.

Për Dr. Laura Gjylin, përfaqësuese e organizatës “River CleanUp” në Shqipëri, është pikërisht edukimi që do të nxisë transformimin në fushën mjedisore.

“Jemi të lumtur që profesorët e UAMD-së po iu bashkohen çdo ditë e më shumë studentëve të tyre në terren duke frymëzuar  dhe pasuruar lëvizjen tonë me ide të reja. Të lumtur edhe më shumë kur shohim studentët, me ne prej një viti, që tashmë ndërmarrin vetë aksione, trajnojnë vullnetarët e rinj dhe dinë të klasifikojnë mbetjet e të bëjnë analizë argumentuese. Kjo është rruga e vërtetë për Shqipërinë tonë”, u shpreh ajo.

Me mbështetjen e Rektoratit të UAMD-së, prej një viti studentët i janë bashkuar komunitetit të “River CleanUp Albania” për pastrimin e Lumit të Ishmit apo zonave të tjera duke ngjallur frymëzim për mbarë lëvizjet mjedisore në vend.