Presidenti i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar vizitë në UAMD


Më datë 13 tetor, 2021, Rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu” (UAMD), Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, priti në një takim Presidentin e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), z. Fidel Ylli dhe Kreun e Federatës Shqiptare të Sportit Universitar (FSHSU), z. Besnik Veliu.

Znj. Rektore i njohu të pranishmit me arritjet e UAMD-së vitet e fundit, sidomos sa i përket projekteve ndërkombëtare dhe zhvillimit të shërbimeve cilësore për studentët. Në këtë aspekt, ajo u ndal edhe në përpjekjet për të gjallëruar jetën studentore përmes masivizimit të aktiviteteve sportive. Ajo u shpreh se universiteti ka themeluar një Shoqatë Sportive, përmes së cilës synohet pjesëmarrja në gara kombëtare dhe ndërkombëtare universitare.

Z. Ylli i mëshoi nevojës të zhvillimit të sportit universitar përmes projekteve të infrastrukturës sportive. Ai gjithashtu ofroi mbështetjen e KOKSH-it për mirëfunksionimin e shoqatave sportive univeristare.

Presidenti i FSHSU-së, z. Veliu, u shpreh optimist për rritjen e ndërgjegjësimit për fushën e sportit universitar dhe ftoi UAMD-në të marrë pjesë në lojërat universitare në Kroaci dhe Izrael.

UAMD ka marrë pjesë rregullisht në universiadat e zhvilluara në vend, si dhe ka fituar disa medalje në disiplina të ndryshme.