Inaugurohet Qendra e Karrierës në UAMD


Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës, mbështetur nga projekti zviceran RISIAlbania, inauguroi Sektorin e Karrierës dhe Alumnit, i cili ndihmon studentët për të marrë vendime të mirinformuara për karrierën, si dhe iu vjen në ndihmë atyre për t’u përgatitur për tregun e punës.

Qendra u inagurua sot në prani të Z. Patrik Meier, zëvendës-Kreu i Misionit të Ambasadës së Zvicrës në Shqipëri; Prof. Dr. Kseanela Sotirofskit, Rektor i Universitetit të Durrësit; Znj. Edlira Muedini, Menaxhere e Projektit RisiAlbania; përfaqësuesve të pushtetit lokal dhe universiteteve partnere.

“Shërbimet e orientimit në karrierë për të rinjtë janë të domosdoshme për punësimin e tyre. Ndaj, Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim nëpërmjet projektit RisiAlbania ka lehtësuar zhvillimin e shërbimeve të orientimit në karrierë në Shqipëri. Sot jemi të lumtur të shohim përpjekjet dhe arritjet e Universitetit Aleksander Moisiu Durrës në një kohë kaq të shkurtër dhe mes shumë sfidave.”, tha Zëvendës – Kreu i Misionit të Ambasadës së Zvicër Z. Meier.

“Misioni ynë është kalimi i suksesshëm i studentëve nga jeta universitare drejt udhëve të tyre të karrierës. Pavarësisht sfidave, ne jemi të lumtur që kemi ekipin dhe infrastrukturën e duhur në mënyrë që të ndërtojmë ura lidhëse mes të rinjve dhe tregut të punës”, u shpreh rektorja Sotirofski.

Për Drejtorin e Administrimit dhe të Shërbimeve Akademike, Xhafer Rakipllari, “zyra do të t’ju ofrojë studentëve informacione dhe trajnime mbi situatën në tregun e punës, njohuri bazë mbi procesin e aplikimit për punë, si dhe mundësi për zhvillimin e aftësive të tyre. Studentët do të njihen vazhdimisht me oferta për punësim, praktika apo punë vullnetare”.

Këshilluesit e karrierës të UAMD-së janë trajnuar sipas standardeve ndërkombëtare “Global Career Development Facilitator” dhe kanë përfituar nga shkëmbime profesionale me homologët polakë nga Universiteti i Teknologjisë së Varshavës. Ata përdorin mjete pune të përshtatura sipas kontekstit të Shqipërisë dhe nevojave të të rinjve në vend.

Gjatë vitit 2020, UAMD-ja iu përgjigj shpejt sfidës së pandemisë përmes një serie uebinaresh, ku ndër të tjera u prezantua edhe “Udhëzuesi i Karrierës”. Ky udhëzues është një mjet për përdorim të pavarur nga të rinjtë e nivelit universitar gjatë procesit të kërkimit dhe aplikimit për punë.