Sporti universitar dhe vullnetarizmi; FSHSU shpalos projektin në UAMD


Rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Prof. Dr. Kseanela Sotirofki, priti sot në një takim Presidentin e Federatës Shqiptare të Sportit Universitar (FSHSU), z. Besnik Veliu dhe vullnetarë të disa universiteteve në vend.

Në fillim të takimin z. Veliu i dorëzoi znj. Rektore një dhuratë simbolike në shenjë vlerësimi për mbështetjen e aktiviteteve sportive në UAMD dhe sukseset e arritura prej ekipeve të universitetit në kampionatet kombëtare dhe mbarëkombëtare.

Më pas Presidenti i FSHSU-së iu prezantoi të rinjve projektin “Rinia e së ardhmes mes jetës universitare, sportit dhe vullnetarizmit”. Ai iu bëri thirrje studentëve të UAMD-së të bashkohen në aktivitetet e projektit dhe premtoi organizimin e tre aktiviteteve në hiking, beach volley dhe zumba në Durrës.

Pjesëmarrja në aktivitetet sportive të FSHSU-së, si lojtarë ose si vullnetarë, do të ndihmojë të rinjtë të trajnohen dhe fitojnë përvoja organizative brenda dhe jashtë vendit. Po ashtu, një pjesë e tyre do të mund të përfitojnë nga bursat sportive në Universitetin e Soch-it në Rusi.

UAMD është anëtare e FSHSU-së dhe bashkëpunon ngushtë me të në mbështetje të zhvillimit të sportit universitar në Shqipëri.