Arkeologjia urbane në Durrës; prezantohet projekti kërkimor i UAMD-së


Në konferencën shkencore Qendrat e banuara të Shqipërisë – gjendja dhe e ardhmja, të organizuar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në bashkëpunim me Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” dhe Universitetin e Gjirokastrës “Eqrem Çabej”, u prezantuan edhe konkluzionet paraprake të një projekti kërkimor të Qendrës për Zhvillimin e Trashëgimisë Antiko-Mesjetare Shqiptare pranë UAMD të drejtuar nga Dr. Ols Lafe.

Punimi i prezantuar në këtë konferencë titullohej In situ apo ex situ: një analizë e arkeologjisë urbane në Durrës gjatë 100 viteve të fundit, dhe nxirrte në pah gjendjen e kërkimeve arkeologjike në qytet prej fillimit të shekullit të XX e deri në ditët e sotme. Analiza shkencore kontribuon në drejtim të krijimit të hartës GIS të nëntokës së mbrojtur të Durrësit (të nëntokës së njohur) dhe diskuton të paktën 16 vendgjetje që sot janë ende të dukshme, si dhe kushtet e ruajtjes së tyre.

Disa nga pyetjet e ngritura në studim dhe për të cilat puna dhe kërkimi do të vijojnë janë: A duhet të qëndrojnë rrënojat arkeologjike nën ndërtesat moderne dhe ti prezantohen vizitorit in situ? A duhet të zhvendosen pranë muzeut arkeologjik për një prezantim më të mirë ex situ? A janë të gjitha të shpallura si monumente kulture dhe si mund të përfshihen në hartën e turizmit kulturor të qytetit të Durrësit?