Studentët e Marrëdhënieve Ndërkombëtare vizitë në MEPJ


Këtë të mërkurë, datë 22 dhjetor 2021 në ambientet e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme u zhvillua një vizitë e studentëve të Masterit Shkencor të Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Diplomacisë, të Fakultetit të Shkencave Politike Juridike të UAMD-së, të udhëhequr nga lektorja Dr. Mirela Metushaj, për të prekur me sy dhe me fjalë këtë Institucion të rëndësisë së veçantë që lidhet drejtë për së drejti me studimet e tyre.
 
Diplomatët e nderuar që na pritën dhe mbajtën fjalimin sot, Znj. Pranvera Teli (Drejtoreshë e Arkivit Historik), Znj. Armira Jorgji (Drejtoreshë e Drejtorisë së BE) dhe Z. Petrika Jorgji (përfaqësues i Drejtorisë së Këshillit të Sigurimit) ju dhanë studentëve informacione të vlefshme rreth historisë dhe rëndësisë të Arkivit Historik dhe dokumentacionit pranë kësaj Ministrie, rolin dhe kontributin e figurës së diplomatit dhe Shërbimit të Jashtëm të RSH-së. U vijua më pas me tematikat rreth rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE, si dhe suksesin e Shqipërisë, e zgjedhur për herë të parë si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (2022-2023). Shqipëria sot është një shtyllë stabiliteti në rajon, si eksportuese sigurie në misionet paqeruajtëse dhe faktor stabiliteti në nivel mikro përgjatë politikë së ndjekur në Ballkanit Perëndimor dhe nivel makro në arenën ndërkombëtare në të gjitha forumet ku ka dhënë kontributin e saj.
 
Një falenderim i veçantë për tre diplomatët që përmbushën me shumë profesionalizëm interesin e treguar nga studentët gjatë takimit.