UAMD nis bashkëpunimin me “Tikkun Olam Makers”


Themeluesi dhe Drejtuesi i “Tikkun Olam Makers” (TOM), z. Gidi Grinstein, Drejtuesja për Izraelin znj. Yael Rogers, në praninë e Ministres së Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, znj. Bora Muzhaqi, u pritën ditën e diel në një takim nga Rektorja e UAMD-së Prof. Dr. Kseanela Sotirofski.

Ajo dhe stafi shoqërues e informuan z. Grinstein mbi profilet akademike të universitetit, rritjen e tij gjatë viteve të fundit dhe projektet prioritare. Të ftuarit patën mundësinë të vizitojnë edhe “Vtech & Innovacion Hub”, si njësinë më të re të krijuar në UAMD.

Z. Grinstein shpjegoi filozofinë e TOM-it për të ofruar zgjidhje novatore për problemet sociale nëpërmjet mjeteve të kërkimit dhe teknologjisë. Këto zgjidhje ofrohen nga një rrjet global i komuniteteve të përkushtuara për të përmirësuar jetën e njerëzve duke e bërë teknologjinë me burim të hapur (open source) të aksesueshme për të gjithë.

TOM-i punon ngushtësisht me shkollat dhe universitetet dhe është një mundësi e shkëlqyer për stafet për t’u vënë në kontakt me profesionistë nga mbarë bota, që ndajnë të njëjtat vlera dhe ideale me ta. Ndërsa, angazhimi i studentëve në TOM është një garanci për një pozicionim më të mirë të tyre në tregun e punës.

Në fund të takimit, UAMD u shpreh e gatshme të intensifikojë bashkëpunimin me TOM-in dhe të vejë në dispozicion asetet e saj teknologjike për të mundësuar ofrimin e zgjidhjeve novatore me impakt social.