Fakte dhe Shifra


  • Universiteti i Durrësit në formën e tij moderne është themeluar në vitin 2006, por gjurmët e tij shtrihen në vitin 1380, duke e bërë një nga institucionet më të vjetër në Europë. Universiteti i Studimeve të Durrësit (latinisht: Universitas Studiorum Dyrrhachium) është krijuar rreth vitit 1380, por për shkak të sulmeve osmane është tërhequr në Zarë për të themeluar Studium Generale, ose Universitetin e Zarës, me Rektor të Parë, Gjon Durrsakun (1396).
  • Burime që dalin nga arkivat dhe bibliotekat e Kuvendit Françeskan dhe Kuvendit Domenikan në Dubrovnik, përveç njoftimeve të rëndësishme për historinë e moçme, ofrojnë edhe njoftime për të parin universitet në Ballkan, Universitetin e Durrësit, universitet ky i themeluar nga dominikanët durrsakë, që vepronin prej vitit 1224 në Kuvendin e Shën Maurit në Durrës.
  • Është i njohur fakti se profesori Gjon Durrsaku kishte vajtur në Zarë dhe atje ishte caktuar si rektori i parë i  Universitetit të Zarës (1396). Në Universitetin e Zarës thuhet, shprehimisht, se “Rektori i parë ishte Gjon Durrsaku, qëkur Universiteti i Durrësit u zhvendos në Zarë për shkak të kërcënimit turk në Europën Juglindore”.
  • Një tjetër personalitet i Universitetit të Durrësit, që po zbulohet rishtazi, ishte Ndre Durrsaku (mesi shek. XIV-13 qershor 1393). Ai njihet si doktor i shkencave teologjike (Universiteti i Bolonjës, 1380), ndërsa në vitin 1387 qe emëruar arqipeshkëv i Arqipeshkvisë së Raguzës.
  • Në formën e tij moderne, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, çeli dyert për herë të parë në vitin akademik 2006-2007 me rreth një mijë studentë nga i gjithë vendi. Me hapjen e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, Qeveria Shqiptare nuk kishte për qëllim hapjen e një institucioni të ri në vend, por hapjen e një institucioni ndryshe, i cili do të sillte eksperiencat më të mira akademike perëndimore.
  • Filozofia e punës në UAMD  është “studenti në qendër të vëmendjes”, që do të thotë se gjithçka që ndodh në universitet që nga procesi mësimor, shërbimet, aktivitetet dhe mjetet janë në shërbim të studentit. Kjo bëhet e mundur, nëpërmjet një stafi dinamik të zgjedhur dhe të përkushtuar, një ambjenti të kompjuterizuar që mundëson kontakte të vazhdueshme me botën akademike perëndimore dhe nëpërmjet veprimtarive të larmishme ekstrakurrikulare.
  • Mënyra e zhvillimit të procesit mësimor, procedurat e kontrollit të dijes, rekrutimi i stafit akademik, këshillimi i studentëve, shërbimi i bibliotekës e mbi të gjitha kërkimi shkencor kanë si qëllim realizimin e një përvoje akademike unike në vend, që nuk përjashton asnjë element domethënës të universiteteve evropiane dhe atyre amerikane.
  • Një risi e Universitetit “Aleksandër Moisiu”, por edhe e të gjithë sistemit të arsimit të lartë në vend është hapja në vitin akademik 2008-2009 e Fakultetit të Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP). Ky fakultet është produkt i një projekti të përbashkët të qeverisë gjermane dhe asaj shqiptare, me qëllim ndërtimin e një fakulteti bazuar në përvojën më të mirë në fushën e ekonomisë dhe të menaxhimit të akademisë profesionale në Banden-Wurtemberg në Gjermani. Karakteristika dalluese në këtë fakultet është kombinimi i vazhdueshëm i njohurive teorike me praktikën në kompani të ndryshme sipas fushës së studimit. Mësimdhënia në këtë fakultet zhvillohet nga profesorë ndërkombëtarë dhe ekspertë në fushave përkatëse.
  • Sot, në  përbërje të Universitetit “Aleksandër Moisiu” janë 6 fakultete: Fakulteti  i Biznesit, Fakulteti i Edukimit, Fakulteti i Teknologjisë së  Informacionit, Fakulteti i Shkencave Politike-Juridike, Fakulteti i Studimeve Profesionale, Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën (FASTIP). Në këta fakultete numërohet rreth 20 mijë studentë në të tre ciklet e studimit.