Menaxhim Biznes


Master Profesional në Menaxhim Biznes SHQIP

[Shkarko Kurrikulën]

Përshkrimi i Programit Master Profesional “Menaxhim Biznes”

Mjedisi dinamik dhe rritja e shkallës së kompleksitetit të problemeve apo situatave me të cilat përballet një organizatë kërkon menaxherë të kualifikuar me aftësi të mira konceptuale dhe diagnostikuese. Ky program studimi është i projektuar për të transmetuar tek studentët njohuritë dhe aftësitë e nevojshme për të menaxhuar suksesshëm organizatat në sektorin privat apo publik duke i udhëhequr ato drejt performancës së dëshiruar. Programi i Studimit në Master Profesional “Menaxhim Biznes” krijon një sërë mundësish për të bërë karrierë në fushën profesionale. Ai është dizenjuar në mënyrë të tillë që të mundësojë njohjen hap pas hapi të të gjitha aspekteve të menaxhimit të një organizate.

 

Pse duhet të studioni në këtë program?

Qëllimi primar i këtij programi studimi është njohja e studentëve me konceptet dhe teknikat e menaxhimit bashkëkohor. Përmes kombinimit të njohurive teorike me realitetin organizativ, studenti aftësohet të mendojë në mënyrë strategjike në lidhje me një organizatë, të njohë pozitën e tanishme të saj dhe të planifikojë situatën ku duhet të arrijë, burimet dhe aftësitë, si dhe strategjitë që duhet të përdorë për të fituar avantazhe konkuruese të qëndrueshme. Gjithashtu, studenti mësohet të perceptojë organizatën si sistem e për rrjedhojë e ka më të lehtë të kuptojë marrëdhëniet mes pjesëve të ndryshme organizative. Për më tepër, ai zhvillon aftësitë për marrjen e vendimeve të suksesshme.

 

Ku mund të punësoheni pas përfundimit të studimeve?

Programi Master Profesional në “Menaxhim Biznes” ofron njohuri të mira në fushën e menaxhimit duke rritur mundësitë për karrierë profesionale. Duke zhvilluar aftësi teknike, ndërpersonale dhe konceptuale, ai bën të mundur punësimin e të diplomuarve në organizata të llojeve dhe dimensioneve të ndryshme. Ndër të tjera, në përfundim të programit studenti mund të punësohet si: drejtues i nivelit të lartë në sektorin privat dhe publik, drejtues apo specialist në menaxhimin e operacioneve, drejtues apo specialist në menaxhimin e burimeve njerëzore, menaxher ose specialist në projekte, specialist në komunikim, etj.