Mësimdhënie në Gjuhë-Letërsi-Anglisht


[Shkarko Kurrikulën]

Përshkrimi i Programit “Mësimdhënie në Gjuhë-Letërsi-Anglisht” i nivelit Master Shkencor

Ndryshimet e herë pas hershme në tregun e punës, së bashku me procesin e globalizimit, kërkojnë specialistë të kualifikuar në gjuhën shqipe e shkencat e gjuhës. Ky program është i projektuar për të transmetuar tek studentët aftësitë profesionale të nevojshme në mënyrë që ata të jenë të suksesshëm në kërkimin e punës. Programi i studimit “Mësimdhënie në Gjuhë-Letërsi dhe Anglisht” i nivelit master shkencor krijon një sërë mundësish për të bërë karrierë në fushën profesionale dhe akademike. Njëkohësisht, mundëson punësimin në sektorin privat dhe publik.

Pse duhet të studioni në këtë program?

Programi i studimit “Gjuhë-letërsi dhe anglisht” i nivelit Master Shkencor synon formimin profesional të studentëve në njohjen shkencore të gjuhës shqipe, të letërsisë, si dhe ngritjen e nivelit të njohjes së gjuhës angleze. Programi i studimeve ka parashikuar që e ardhmja profesionale e këtyre studentëve të jetë mësuesia dhe kualifikimi i tyre i mëtejshëm të vijojë në degët gjegjëse të “Masterit Shkencor”, duke i hapur mundësinë secilit drejt gradës “Doktor i Shkencave”. Përmes disiplinave teorike bazë të fushës didaktike dhe të praktikave në shkollat parauniversitare, ky program realizon objektivat formuese për përgatitjen e studentëve me shprehi shumë të mira si mësues të gjuhës shqipe dhe të letërsisë. Specifikë e këtij programi studimi është se ai, gjithashtu, u përgjigjet nevojave të disa shkollave ku klasat janë me pak nxënës dhe del e nevojshme që mësuesi të ketë formim profesional multidisiplinar, në funksion të mbulimit të disa lëndëve shkollore dhe realizimit të normës së punës edhe nëpërmjet mësimdhënies së gjuhës angleze. Studentëve që ndjekin formimin si punonjës shkencorë, njohja e thelluar e anglishtes u jep epërsi mbi të tjerët.

Ku mund të punësoheni pas përfundimit të studimeve?

Programi master shkencor në “Mësimdhënie në Gjuhë-Letërsi-Anglisht” zhvillon një sërë aftësish teorike e praktike për gjuhën shqipe dhe shkencën e gjuhësisë, letërsinë shqipe e shkencën e letërsinë dhe gjuhën angleze. Në përfundim të programit, studentët përfitojnë njohuri dhe aftësi për t’u punësuar si: mësues të kualifikuar të gjuhës (në shkollat e mesme), si kërkues në terren në fushë të gjuhësisë, specialistë për përmirësimin e nivelit të aftësive gjuhësore të nxënësve, si mësues i gjuhës shqipe për të huaj, punonjës në të gjitha profesionet që lidhen me komunikimin, në të gjitha profesionet e lidhura me përmirësimin e problemeve në mësimin e gjuhës.