Mësimdhënie në Gjuhë Angleze


[Shkarko Kurrikulën]

Master Profesional në Mësimdhënie në Gjuhë Angleze

Përshkrimi i Programit MP. në Mësimdhënie në Gjuhë Angleze

Përshtatja me kërkesat e tregut të punës, së bashku me procesin e globalizimit, kërkojnë specialistë të kualifikuar në të gjitha fushat e edukimit. Ky program është i projektuar për të transmetuar tek studentët aftësitë profesionale të nevojshme në mënyrë që ata të jenë të suksesshëm në kërkimin e punës dhe specialistë të mësimdhënies me njohuri mbi gjuhën angleze. Programi i Studimit në MP. “Mësimdhënie në Gjuhë Angleze” krijon një sërë mundësish për të bërë karrierë në fushën profesionale dhe akademike. Njëkohësisht, mundëson punësimin në sektorin privat dhe publik, pasi programi krijon njohuri të plotë mbi sistemin e edukimit/institucionit dhe jep zgjidhje për problematikat dhe zhvillimet e tyre.

 

Pse duhet të studioni në këtë program?

Qëllimi i këtij programi është aftësimi dhe edukimi i profesionistëve të mësimdhënies së gjuhës angleze me përgjegjësi analitike, me fokus në performancën e klasës në mësimin e gjuhës së huaj. Ndër të tjera, studentët pajisen me njohuri të thella të teorisë së edukimit dhe mësimdhënies, si dhe zhvillojnë aftësitë imagjinative, inovative, ndërvepruese, të mendimit kritik dhe ndërvarësisë; shkëmbejnë njohje rreth instrumenteve të nevojshëm për analizimin dhe zgjidhjen e problemeve në vendin e punës. Nga ana tjetër, studenti zhvillon njohuritë mbi modelin edukues, dhe mbi të gjitha, bën aplikimin e shkencës edukuese në problemet e përditshme të gjuhës së huaj dhe institucionit. Po ashtu, studenti realizon studime mbi didaktikën, metodat mësimdhënëse, performancën e klasës dhe rolit drejtues të mësuesit si mësimdhënës i gjuhës angleze, si dhe cilësinë e mësimdhënies.

 

Ku mund të punësoheni pas përfundimit të studimeve?

Programi Master Profesional në “Mësimdhënie në Gjuhë Angleze” zhvillon një sërë aftësish, si ato praktike, gjuhësore dhe komunikuese, më qëllim marrjen e zhvillimin e njohurive të gjuhës angleze. Njohuritë e marra janë të formimit specifik në fushën e mësimit të gjuhës së huaj. Në përfundim të programit, studenti përfiton njohuri dhe aftësi  për t’u punësuar si: mësues i gjuhës angleze për insitucionet arsimore publike dhe private, specialist komunikimi në kompani publike dhe private, specialist mësimdhënës për shtresa të ndryshme shoqërore, mundësi për të zhvilluar studime të avancuara në këtë fushë, etj.